Aksidentet pranë shkollave, orë mësimi për ti shmangur
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare, sidomos ato që ndodhen pranë rrugëve kryesore, janë të rrezikuar nga aksidentet automobilistike.Instituti i Shëndetit Publik ka ngritur disa herë alarmin për rritjen e masave të sigurisë pranë këtyre institucioneve arsimore. Kjo problematikë është bërë objekti i vëmendjes së Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian. Së fundmi, është materializuar me një strategji Kombëtare për sigurinë rrugore. Në rastin e Programit të Edukimit për sigurinë rrugore në shkolla, rëndësia është e dyfishtë, për shkak se lidhet me mbrojtjen e fëmijëve dhe nxënësve që janë pjesa më e kërcënuar nga rreziqet e trafikut, por lidhet edhe me perspektivën. Përpjekja jonë synon një brez të informuar për rreziqet e rrugës, për rregullat e nevojshme, çka na sugjerojnë në mënyrë të përsëritur shkaqet e aksidenteve të sotme, u shpreh dje gjatë aktivitetit të organizuar në ambientet e shkollës 4 Dëshmorët, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Aktiviteti i djeshëm është vetëm fillimi i një serie të organizuar në nivel kombëtar. Shumë shpejt, me ndihmë dhe mbështetje nga partnerët e huaj, do të bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar një kurrikulë të përmirësuar, të organizuar në mënyrë efikase, jo vetëm për njohuritë dhe rregullat, por në radhë të parë, për të transmetuar tek nxënësit shprehitë praktike, për tu mbrojtur dhe për tu orientuar në situatat komplekse të trafikut të sotëm. Në të gjithë kurrikulën tonë po pasqyrohet tendenca bashkëkohore në favor të të mësuarit praktik, në favor të kompetencave specifike reale. Pjesë e edukimit dhe e strategjisë sonë për sigurinë në shkolla, është veprimi i bashkërenduar (mësues, komunitet, Polici), me masat për sigurinë e të gjitha ambienteve shkollore, tha Tafaj. Në një studim të kryer në 6 shkolla në kryeqytet, të dhënat flasin për mangësi të mëdha. Ka mungesë të theksuar të sinjalistikës, dhe afërsia e këtyre institucioneve me rrugën është shumë e madhe. Ndërkohë që në afërsi të këtyre ambienteve mungon sinjalistika specifike rrugore, fëmijët në dalje të shkollës përballen direkt me mjetet motorike, për shkak se dyert janë me pamje nga akset me intensitet te lartë lëvizjeje, thuhet në studimin e ISHP. Sipas tij, mungojnë mbikalime apo lehtësira që eliminojnë në maksimum rreziqet nga aksidentet. Nga të dhënat, rezulton se 13 për qind e vdekjeve tek fëmijët deri ne 14 vjeç, ka qenë për shkak të aksidenteve. Nga vëzhgimi i bërë prej specialistëve të ISHP, pjesa dërmuese e shkollave fillore e nënte vjeçare në Tiranë janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të qarkullimit rrugor. Më të rrezikuarat janë shkollat 1 Maji, Vasil Shanto, Sabaudin Gabrani, Shkolla e Kuqe, Ali Demi, Kongresi i Lushnjes, kanë pohuar specialistët e ISHP-së. Rekomandojmë që, nëpërmjet vete programeve mësimore në shkolla të zgjojmë vëmendjen tek fëmijët, që ata vetë, me zërin e tyre, të kërkojnë përmbushjen e standardeve të sigurisë pranë rrugëve të shkollave e më gjerë, kanë theksuar specialistët e ISHP-së. Sipas këtyre të fundit, parandalimi përmes masave efikase mbetet rruga më e mirë për të ulur numrin e aksidenteve.
300 persona humbën jetën në 2010-n në aksidentet e trafikut në Shqipëri, një shifër
dy herë më e lartë se në Slloveni, një vend anëtar i BE-së .Disa nga shkaqet kryesore të vdekjeve dhe lëndimeve në rrugë janë shpejtësia, alkooli, mosrespektimi i semaforëve dhe rregullave të kalimit të rrugës nga të dyja palët.
13 për qind
e vdekjeve tek fëmijët deri ne 14 vjeç ka qenë për shkak të aksidenteve. Nga
vëzhgimi i bërë prej specialistëve të ISHP-së, pjesa dërmuese e shkollave fillore e nënte vjeçare në Tiranë janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të qarkullimit rrugor.
BE: Ndihmë për sigurinë rrugore në Shqipëri
Trajnimi në shkollën publike Katër Dëshmorët u ndoq dje nga shefi i Sektorit Operacional në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Luigi Brusa. Ai vlerësoi mbajtjen e trajnimeve të tilla, si hapa të rëndësishëm drejt sundimit të ligjit dhe drejt uljes së numrit të viktimave në rrugët e Shqipërisë. Nga ana e BE-së, ne jemi të lumtur të japim ndihmën tonë për përmirësimin e sigurisë rrugore, për të mirën e këmbësorëve të Shqipërisë, çiklistëve, udhëtarëve dhe shoferëve. Por kjo është një punë në grup. Ndihma jonë do të sjellë fryte, vetëm në qoftë se fëmijët dhe të rriturit do të jenë shoferë, udhëtarë, këmbësorë apo çiklistë të përgjegjshëm, tha Bursa. Me anë të trajnimeve të tilla në nivel kombëtar, Policia shqiptare e Trafikut së bashku me mësuesit e shkollave do të jenë në gjendje të ndërgjegjësojnë shkollat e të gjithë Shqipërisë, mbi veprimet e sjelljet e përgjegjshme në rrugë. Gjatë vitit 2010, 300 person humbën jetën në aksidentet e trafikut në Shqipëri, një shifër dy herë më e lartë se në Slloveni, një vend anëtar i BE-së. Përveç infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës, disa nga shkaqet kryesore të vdekjeve dhe lëndimeve në rrugë janë shpejtësia, alkooli, mosrespektimi i semaforëve dhe rregullave të kalimit të rrugës nga të dyja palët, shoferët dhe kalimtarët.
ZIRINA LLAMBRO