Aksidentet, vdesin 5 dasmorë, plagosen 15 vetë

Makina e aksidentit në Kukës
Në pak orë, aksidente me 15 të plagosur në Bulqizë, Fier dhe Elbasan.
Ngjarja më tragjike në Rrugën e Kombit, vdesin 4 familjarë.
Përgjaken rrugët në fundjavë me dasmorë. Pesë persona humbën jetën, katër prej të cilëve nga e njëjta familje, ndërsa 15 persona mbetën të plagosur si pasojë e aksidenteve që ndodhën dje në disa rrethe të vendit. Ngjarja më e rëndë u shënua mbrëmë rreth orës 18:50 në aksin Durrës-Kukës. Makina “Benz” në të cilën po udhëtonin pesë anëtarë të një familje ra në humnerë në vendin e quajtur “Kthesa e Kolshit”. Viktimat kishin qenë në një dasmë te të afërmit e tyre në fshatin e origjinës, Shtiqën, dhe po ktheheshin për në Tiranë. Katër pjesëtarë të familjes Çengu mbetën të vdekur, ndërsa është duke luftuar për jetën një fëmijë 10 vjeç. Sipas Policisë, viktimë mbeti shtetasi Ilmi Çengu, 45 vjeç, drejtues i mjetit, banues në Kamzë. Gjithashtu, humbi jetën në vend bashkëshortja e tij Zylfie Çengu, si dhe nusja e djalit, Blerta Çengu. Trupat e tyre janë nxjerrë me vështirësi nga gremina si pasojë e terrenit, errësirës dhe motit të keq. Në gjendje të rëndë u dërgua drejt Spitalit Ushtarak vajza e çiftit Çengu, 20-vjeçarja Diana Çengu, por ajo ndërroi jetë gjatë rrugës. I vetmi i mbijetuar i familjes është djali i Blerta Çengut, V. Çengu. Vendi ku makina ka dalë nga rruga nuk ka barriera mbrojtëse. Dyshohet se shkak është bërë rrebeshi i shiut, çka nuk i ka dhënë mundësi shoferit për fushëpamje. Po dje, një tjetër aksident i rëndë ndodhi në Klos të Burrelit. Ramis Cakoni, 52 vjeç, banor i fshatit Fshat të Klosit, humbi jetën pasi u aksidentua teksa po kthehej me familjen nga një dasmë. Rreth orës 18:30 mjeti që ai drejtonte ka dalë nga rruga pranë Urës së Fshatit dhe është përplasur me kolonat e betonit të Kanalit të Klosit. Të plagosur mbetën edhe gruaja e tij, H. Cakoni dhe pasagjeri A. Hidri. Dyshohet se shkak për aksidentin është bërë lagështira në rrugë. Një tjetër aksident me gjashtë të plagosur ndodhi mbrëmë në dalje të autostradës Levan-Vlorë. Si pasojë e motit të keq, dy mjete, “Audi” dhe “Alfa Romeo” u përplasën me njëra-tjetrën. Për pasojë u plagosën shtetasit Gentian, Fadil dhe Natasha Muçmataj, Pjetër Naraçi, Florjana Reçi dhe Robert Muhaj, të cilët ndodheshin në të dyja mjetet.
Gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur dje në dy aksidente të ndodhur në akset Qafë-Kërrabë-Elbasan dhe Qafë Thanë-Pogradec. Aksidenti i parë u shënua në orët e paradites në vendin e quajtur Fikas në segmentin e Qafën e Kërrabës, kur një furgon me pasagjerë është përplasur me një autoveturë. Në ngjarje mbetën të plagosur 3 persona. Ndërsa në mesditë, në aksin Qafë-Thanë-Pogradec një autoveturë me targë AA 388 DL ka dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë. Si rezultat mbetën tre të plagosur.
Pasojat e aksidenteve
KUKËS
Pesë persona, pjesëtarë të së njëjtës familje, ranë me mjetin e tyre në një greminë rreth 30 metra të thellë teksa po ktheheshin nga një dasmë. Për pasojë, katër prej tyre mbetën të vdekur.
BURREL
Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i aksidentit që ndodhi mbrëmë në Klos të Burrelit. Drejtuesi i mjetit mbeti i vdekur, ndërsa gruaja dhe pasagjeri i tij u plagosën.
FIER
Gjashtë persona mbetën të plagosur mbrëmë në dalje të autostradës Levan-Vlorë. Si pasojë e motit të keq dhe shpejtësisë, dy mjete, “Audi” dhe “Alfa Romeo”, u përplasen me njëra-tjetrën.
ELBASAN
Si pasojë e dy aksidenteve në akset Qafë-Kërrabë-Elbasan dhe Qafë-Thanë-Pogradec, mbetën të plagosur gjashtë persona. Në të dyja rastet dyshohet se shkak të jetë bërë shpejtësia dhe moti i keq.