Aksidenti i Himarës, Policia: Shkak shpejtësia tej normave të lejuara. Nisen drejt Austrisë dy studentet në gjendje të rëndë

Ekspertët kanë zbardhur të dhënat e taografit, shpejtësia e fundit e regjistruar prej tij në momentin e përplasjes me bordurën e jashtme të rrugës ka qenë 40 km/h pra dyfishi i normës prej 20 km/h që shënonte tabela paralajmëruese
UPDATE- Shpejtësia tej normave të lejuara ka rezultuar shkaku i aksidentit tragjik të shkaktuar nga rrëzimi në afërsi të Himarës të autobusit me studentë të ekspeditave të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Ekspertët kanë zbardhur të dhënat e taografit, shpejtësia e fundit e regjistruar prej tij në momentin e përplasjes me bordurën e jashtme të rrugës ka qenë 40 km/h pra dyfishi i normës prej 20 km/h që shënonte tabela paralajmëruese.
Sipas ekspertëve shpejtësia me të cilën ka hyrë në kthesën dyshe para se të dilte nga rruga me përllogaritjen e zbritjes së shpejtësisë nga shoferi përllogaritet në 50-60 km/h.
Tre ditë pas aksidentit që i mori jetën 13 personave nga të cilët 11 ishin studente, Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth hetimeve paraprake.
Sinjalistikat vertikale dhe horizontale që tregonin kthesat, limitin e shpejtësisë apo pjerrësinë 10 përqind ishin funksionale dhe konform të gjitha normave.
Gjithashtu nga ekspertët është konkluduar se sistemi i drejtimi ka qenë funksional dhe nuk ka patur defekte sikundër edhe sistemi i frenimit.
Edhe përsa i përket gomave ato ishin në gjendje të mirë dhe e vetmja gomë e majtë që ka skofjuar, ka ndodhur në momentin e përplasjes me bordurën dhe jo më parë.