E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti me fëmijën rom, AP: Ngjarja e paralajmëruar, të merren masa

TIRANE- Avokati i Popullit ka reaguar sot në lidhje me aksidentimin e një fëmije që i përket familjeve rome të dëbuara nga banesat e tyre tek pallati me shigjeta në Tiranë. Sipas tij, kjo që ndodhi ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi familjet jetojnë buzë rrugës.

“Kjo që ndodhi ishte një ngjarje e paralajmëruar, duke parë terrenin ku jetojnë tashmë familjet e dëbuara rome, buzë një prej akseve më të rënduara me trafik në kryeqytet”, shprehet AP në deklaratën e tij.

Nisur nga kjo ngjarje, Igli Totozani i bën thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa urgjente për strehimin e këtyre familjeve.

“Avokati i Popullit, duke marrë shkak dhe nga kjo ngjarje e rëndë, ju bën thirrje autoriteteve përkatëse të marrin masa urgjente për të gjetur një zgjidhje definitive për këto familje rome, me qëllim që të mos përsëriten më, ngjarje të tilla që cënojnë jetën e fëmijëve dhe gjithashtu trondisin opinionin publik”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit ndodhen në Spitalin Ushtarak, për t’u interesuar rreth shendëtit të fëmijës 2 vjeçar, i cili u aksidentua mëngjesin e ditës së sotme.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›