E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Himarë, hetimet: Shkak shpejtësia, jo frenat

 Këto janë rezultatet e hetimit të bëra të ditura sot nga Policia e Shtetit. Sipas policisë, segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalik anësor mbrojtës.

“Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrtësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta. Nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, nga ku rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, sipas të dhënave të ekspertëve, gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës.

“Nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e aksidentit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm”, thuhet më tej.

Ekspertët kanë hedhur poshtë pretendimin e mëparshëm se në momentin e aksidentit nuk kanë funksionuar frenat. “Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë”, sqaron Policia e Shtetit. Vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje të rëndë. /Start/

                                                                                             2012-05-24 14:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›