E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet Fiati, 3 persona vdesin. U shkrumbuan brenda në kabinën e makinës

GJIROKASTER-Një aksident i rëndë me bilanc 3 viktima ka ndodhur sot në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ku një automjet ka shpërthyer pak pasi është përplasur.

News24 mëson se një automjet tip ‘Fiat’ me targa greke ZHI793 me 3 persona që udhëtonin në të është përplasur me bordurën e rruges sot pasdite rreth orës 17:00 në afërsi të fshatit Mashkullorë. Pak sekonda pas përplasjes mjeti ka shpërthyer në flakë duke djegur dhe personat që ndodheshin në të.
Besohet se nga aksidenti janë shënuar 3 viktima të cilët vinin nga Greqia.

Policia dyshon se bëhet fjalë për një familje emigrante por është tepër e vështirë identifikimi pasi gjithçka në automjet është djegur, përfshirë dhe dokumentacioni. Policia konfirmon se në momentin e aksidentit ka pasur dëshmitarë.

Bazuar tek targa, policia do të identifikojë viktimat në sajë të sistemit TIMS në doganën e Kapshticës prej nga ka hyrë automjeti.

Zjarrfikëset në vendngjarje kanë shuar flakët që kishin përfshirë automjetin, por ka rezultuar në vështirësi të mëdha, në nxjerrjen e trupave të pajetë që janë shkrumbuar tërësisht. 

Dëshmitari
Një dëshmitar ka treguar për korrespondenten nga Gjirokastra, Eri Baco se ka parë aksidentin dhe ka shpejtuar të ndihmojë ata persona që u përplasën. “Në moment mbërrita tek makina e aksidentuar hapa derën dhe pashë që të tre personat kishin vdekur, nuk kishte shenja jete. Në dy vendet e para ishin ulur 2 meshkuj, njëri prej tyre djalë tepër i ri në moshë. Por në këto caste makina nisi të nxirrte tym dhe mori flakë. Unë dhe të tjerë që u afruam, nxituam të largoheshim me shpejtësi sepse makina shpërtheu në flakë”, tha dëshmitari që ndodhi rastësisht në vendin e ngjarjes.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›