E Diel, 1 Nëntor 2026

Berlini: Nëse spiunazhi amerikan rezulton i vërtetë, njësoj si luftë e ftohtë

BERLIN- Ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger reagoi ashpër mbi njoftimet e dhëna nga gazeta gjermane ''Der Spiegel'' lidhur me dyshimet për spiunazh të agjencisë amerikane, NSA në Gjermani.

''Nëse njoftimet konfirmohen, kjo histori të kujton marrëdhëniet mes armiqve gjatë Luftës së Ftohtë'', deklaroi Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.

''Është e pakonceptueshme që miqtë tanë amerikanë i konsiderojnë evropianët armiq. SHBA duhet të sqarojë njoftimet nëse përgjimet në Gjermani dhe Evropë janë të vërteta apo jo. Është e papranueshme që amerikanët të spiunojnë në këtë mënyrë evropianët'', theksoi ajo.

Deklarata e ministres gjermane vjen pas rritjes së tensionit mes Berlinit dhe Uashingtonit lidhur me një informacion ekskluziv të ''Der Spiegel''-it që thotë se NSA-ja ka mbajtur nën kontroll çdo muaj rreth 500 milionë komunikime interneti dhe telefonike, shumë herë më shumë nga sa dihej deri tani.

(d.b/BalkanWeb)
NSA-ja e konsideron Gjermaninë objektiv të ndjeshëm të terrorizmit ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›