Aksidentohet deputeti i PD-së
BERAT / DILAVER XHELILI
Aksidentohet pas mitingut deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Mehmet Xheka. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:30, kur mjeti me të cilin po udhëtonte deputeti u përplas në murin anësor të rrugës. Xheka pësoi disa fraktura të rënda, ndërsa gërvishtje të lehta mori edhe shoferi i tij. Pas ndihmës së parë në spitalin e Beratit, deputeti u nis me urgjencë me helikopter për një trajtim më të specializuar në repartin “Vip” që ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Mësohet se 59-vjeçari Xheka ishte dje rreth orës 10:00 për fushatë elektorale në qytetin e Çorovodës, ku i kërkoi qytetarëve të Skraparit votën për një mandat të dytë të tij. I pranishëm ishte edhe zv/kryeministri Genc Pollo, i cili gjithashtu garon për mandatin e deputetit në qarkun e Beratit. Të dy deputetët pasi kanë zhvilluar takimin elektoral për zgjedhjet e 28 qershorit dhe pasi kanë drekuar në një nga lokalet e këtij qyteti, janë nisur për rrugë. Në Berat, disa orë më pas i priste një tjetër miting i madh elektoral, ku i pranishëm do të ishte edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Sipas policisë, mjeti tip “Benz” me targa të Tiranës, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin ndarës prej betoni në hyrje të qytetit të Poliçanit. Mehmet Xheka, i dyti në listën e kandidatëve të PD-së në këtë qark, pësoi fraktura të rënda, sidomos në shpatullën e majtë. Ka qenë eskorta e zv/kryeministrit Pollo, e cila ndodhej pak minuta pas tij që i ka ardhur në ndihmë dy të plagosurve, duke i çuar ata urgjentisht në spitalin e Beratit. Sipas mjekëve që asistuan në ndihmën e parë për Xhekën, gjendja e tij shëndetësore ishte serioze për shkak të frakturave në shpatull. Ai iu ka kërkuar kolegëve të Beratit (profesioni i tij është mjek kardiolog) që ta nisnin në Tiranë për trajtim më të specializuar. Sipas burimeve të policisë, aksidenti ka ndodhur në të dalë të qytetit të Poliçanit, tek vendi i quajtur “kthesa e karburantit”, një nga kthesat më të forta të kësaj zone. Makina që është përplasur në bordurën prej betoni është dëmtuar. Pas ngjarjes nisi hetimi për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë aksident të rëndë që rrezikoi jetën e dy personave. Paraprakisht, burime të policisë, nisur edhe nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes, dyshohet se shkak i kësaj ngjarje të jetë shpejtësia me të cilën po lëvizte mjeti.
Precedenti i deputetit Prenga
Deputeti i Mirditës, Gjovalin Prenga, pësoi aksident më 5 mars të këtij viti, ndërsa po kthehej nga Tirana për në banesën e tij në Rrëshen. Prenga që drejtonte vetë mjetin doli jashtë rrugës në vendin e quajtur Fierzë, në Rubik. Makina përfundoi në një arë të punuar të këtij fshati, por fatmirësisht pa pasoja të rënda për jetën. Ngjarja ndodhi kur deputeti po kthehej nga një seancë parlamentare. Banorët e zonës i dhanë atij ndihmën e parë, ndërsa më pas e nisën në spitalin e Rrëshenit. Si pasojë e këtij aksidenti, deputeti pësoi dëmtime në trup dhe fytyrë. Pas aksidentit policia tha se ngjarja dyshohet se kishte ndodhur për shkak të vendit të lagësht, por nuk u përjashtua as ndonjë dremitje e mundshme e tij në timon.