Mbështetësi i Berishës në krah të Glover të kontestuar
KRISTI PINDERI
Volfgang Grosruk, një politikan konservator austriak, është caktuar së fundi në krye të misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Një njeri që vazhdon të besojë se në 26 maj 1996 u zhvilluan zgjedhje të ndershme që do të “markojë” ambasadoren Glover gjatë nxjerrjes së konkluzioneve të 28 qershorit. Lëvizja e qeverisë për të neutralizuar britaniken që tashmë konsiderohet “non grata” për Berishën.
Erëra të ftohta po fryjnë këto ditë mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Me dalje të shpeshta publike, opozita po tërheq vëmendjen se më pak se një muaj para votës, infrastruktura zgjedhore është ende larg së qeni korrekte dhe brenda standardit. Problemi i kartave të identitetit mbetet i hapur, kurse aciditeti i luftës elektorale po vjen në rritje. Politikanë të irrituar shfaqen në ekranet televizive dhe tribunat zgjedhore, duke e sjellë në “shtratin” e saj klasik fushatën zgjedhore aktuale. Në këtë atmosferë shqiptarët i drejtojnë thuajse instinktivisht sytë nga ndërkombëtarët. Kanë qenë dhe janë ata e vetmja pikë reference, i vetmi arbitër të cilin e dëgjojnë (jo gjithmonë) të gjitha palët dhe që të cilit i takon e drejta dhe detyra të thotë nëse e kemi kaluar apo jo testin e zgjedhjeve. Këto votime kanë ardhur disi të pazakonta, edhe për vëzhguesit e huaj. Ende pa vënë këmbën në Shqipëri, shefja e misionit vëzhgues të ODIHR-it, Audrey Glover, është kontestuar publikisht nga qeveria. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe pas tij edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, kanë shprehur me shkrim përkatësisht kërkesën për mosardhjen e zonjës Glover dhe heqjen dorë prej saj të detyrës së sapomarrë nga zyra që merret me vëzhgimin e zgjedhjeve me qendër në Vjenë. Reagimi i fortë ndërkombëtar, ku u përfshinë OSBE, Bashkimi Evropian dhe SHBA, bënë që qeveria të tërhiqet, por mesa duket vetëm pjesërisht. Sepse lajmet e orëve të fundit tregojnë se në Shqipëri do të zbresë, me firmën e presidencës së radhës së OSBE-së, ministres së Jashtme greke, Bakojanis, një mision vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kryesuar hiç më pak se nga aleati i vjetër i zotit Berisha, Volfgang Grosruk. I njohur në vendin tonë sidomos për deklaratat e tij të habitshme pas votimeve të trukuara të 26 majit 1996, Grosruk është një njeri që i ka të qarta idetë e tij sa i takon klasës tonë politike. Ish-kryetar bashkie i Griskirshen, një qytet i vogël në Austri dhe mik personal i Berishës, ai ka folur shpesh publikisht në përkrahje të PD-së, duke përdorur një fjalor therës ndaj “ish-komunistëve”, siç i quan ai socialistët shqiptarë. “Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, deklaronte Grosruk në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike “Rojter”. “Jam i kënaqur që nuk vura re incidente në zonat që vizitova. Nuk vërej asgjë që të më shtyjë të besoj se zgjedhjet ishin jo-korrekte”, tha ai pak ditë më vonë, pas kthimit në Vjenë. Ai shtoi gjithashtu se për të ka qenë e qartë, shumë para mbylljes së qendrave të votimit, se opozita do t’i braktiste zgjedhjet. Sipas Grosruk, gjithnjë i cituar nga “Rojter”, këto zgjedhje shënuan “fitoren e demokracisë dhe të reformave të tregut të lirë”. Lajmi flet vetë, komentet janë të tepërta. Paralelisht me këto deklarata, SHBA, Parlamenti Evropian OSBE dhe organizma të tjera ndërkombëtare bëheshin gati, ashtu siç ndodhi, që t’i quanin zyrtarisht të pavlefshme zgjedhjet e 26 majit 1996.
“Dora e ngrohtë”
Burime diplomatike në Tiranë thanë për “Mapo” se zakonisht dy ekipet, pra ai i ODIHR dhe ai i Asamblesë Parlamentare të OSBE, dalin me një qëndrim të përbashkët për zgjedhjet, ose më saktë, pas qëndrimit formal të ODIHR, delegacioni i Asamblesë Parlamentare ndërhyn në mbështetje të tij. Kjo është procedura standarde. Megjithatë, kujtojnë të njëjtat burime, precedenti i vitit 1996 pikërisht me zotin Grosruk, mund të bëjë që kësaj radhe pozicioni i dy krahëve të vëzhgimit të OSBE-së të mos përkojë. Kjo është një hipotezë, që gjithsesi duhet mbajtur parasysh nëse shihet mënyra sesi Glover dhe Grosruk janë caktuar në krye të ekipeve të tyre dhe nëse merren parasysh raportet që ata kanë me palët në lojë, me ose pa dëshirën e tyre personale. Vëzhgimi ndërkombëtar është kthyer kështu në një skemë të madhe pokeri, e cila na shfaqet simetrike në dualizmin e krerëve të misionit të OSBE-së. Nga njëra anë gjejmë ambasadoren Glover, një person që ishte në krye të ODIHR-it kur zgjedhjet e vitit 1996 u konsideruan nul, nga ana tjetër, në rolin e “markuesit” shfaqet një politikan austriak, i cili ishte ndër të vetmit që, edhe klimën represive elektorale të asaj kohe mundi ta shohë si “normale dhe të ndershme”. Berisha kë bërë kështu një lojë jo fort të pazgjuar me dy porta. Ka kontestuar hapur Glover, e ka ftuar atë të mos vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, duke përfshirë në këtë incident diplomatik edhe kreun e KQZ-së, kurse nga ana tjetër ka lobuar fort në favor të Grosruk, i cili do të jetë praktikisht kundër-firma e raportit ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit. Një “dorë e ngrohtë” në momentin e duhur. Në krahun tjetër të barrikadës zgjedhore, opozita nuk e ka konsideruar të arsyeshëm një reagim ndaj emërimit të Volfgang Grosruk në krye të delegacionit të parlamentarëve të OSBE-së, me gjithë të shkuarën e tij problematike në raport me të majtën shqiptare. Pozicionimi i tërhequr i Ramës ka hyrë kështu edhe në këtë aspekt të “rafinuar” të fushatës, por jo të parëndësishëm për atë që do të jetë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. Sidomos kur në horizont duken retë e zeza të një përplasjeje që mund të sjellë largimin ose kontestimin eventual të procesit nga opozita. E majta vërtet është sjellë shumë korrekt me ekipin vëzhgues, duke qëndruar larg procesit të caktimit të kreut të misionit ndërkombëtar, por ajo ka qëndruar e heshtur gjithashtu kur Gloverit i është shtuar në krah një figurë, e cila ka rekorde mjaft të lexueshme politizimi dhe preferencash kur vjen fjala për klasën tonë politike. Ky qëndrim i PS-së është paksa i pakuptueshëm, kur dihet publikisht se Grosruk vjen të vëzhgojë zgjedhjet me një mendim të pjekur tashmë (sipas tij), se cilët janë “të mirët” dhe cilët “të këqijtë”.
“Sa e bukur fitorja juaj e 1996”
Volfgang Grosruk ishte i ftuari preferencial i zotit Berisha në kongresin elektoral që PD-ja organizoi në pranverën e vitit 2005, në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut. Nuk është e vështirë të gjesh një ekstrakt të fjalës së tij me atë rast. Aq më pak e vështirë është të kuptosh se cilat janë pikëpamjet e këtij deputeti austriak për zhvillimet në Shqipëri dhe me çfarë syzesh i sheh ai ato që të tjerë evropianë si ai, i kanë konsideruar krejt ndryshe. Ja një përmbledhje e përshëndetjes së Grosruk: “I dashur mik, zoti Berisha, do të doja gjithashtu të thosha të dashur miq nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur që jam këtu për të marrë pjesë në kongresin tuaj dhe siç e dini kam ardhur disa herë në Shqipëri. Për herë të parë erdha para 10 vjetësh dhe pashë me sytë e mi rrugën e suksesshme të Partisë Demokratike, zgjedhjet e vitit 1996. Më ka bërë shumë përshtypje fitorja juaj. Por siç e dini ngjarjen, ish-komunistët erdhën përsëri në pushtet, por pas një dimri të gjatë do të vijë përsëri fitorja. Jam i bindur dhe shpresoj që zgjedhjet në qershor apo në korrik do të sjellin përsëri pranverën në fushën politike të Shqipërisë. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 1996 ju patët parullën ‘Me ne fitojnë të gjithë’ dhe tani ju keni parullën ‘Erdhi koha për ndryshim’. Jemi të bindur se është tamam koha për të bërë ndryshim”.
(Marrë nga revista “MAPO”)
Grosruk e Glover në raportin për zgjedhjet
Volfgang Grosruk dhe e kundërshtuara nga qeveria shqiptare Aundry Glover do të jenë së bashku në hartimin e raportit përfundimtar mbi zgjedhjet që do të mbahen në 28 qershor në Shqipëri. Megjithëse ODIHR-i do të publikojë në 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve, një raport paraprak mbi atë që do të ndodhë në procesin elektorat të të dielës së fundit të qershorit, OSBE-ja do të jetë institucioni që do të certifikojë raportin për vendin tonë. Këtë e bëri të ditur pak javë më parë edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares gjatë një takimi me kryeministrin Berisha. "Presidenti Soares theksoi se është Asambleja parlamentare e OSBE-së organi kompetent, i cili do të bëjë vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve", njoftoi faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave në përfundim të atij takimi. Në fillim të muajit maj, kryeministri Sali Berisha i kërkoi misionit të ODIHR-it të tërheqë Audry Glover, e cila është emëruar në krye të misionit të vëzhgimit të ODIHR-it në Shqipëri për zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo për faktin se Glover, sipas kreut të qeverisë, ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm në zgjedhjet e 26 majit 1996. Në përfundim të raundit të dytë të atyre zgjedhjeve, ODIHR vlerësoi se ishin shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor. Por ajo që nuk thuhej në raportin prej 14 faqesh ishte pikërisht bojkoti i opozitës. Në asnjë rresht të këtij raporti nuk përmendej fakti se PS-ja dhe aleatët e saj tërhoqën komisionerët nga procesi i votimit dy orë para mbylljes së kutive. Pikërisht ky fakt bëri që maxhoranca e Presidentit Sali Berisha të kundërshtonte raportin e ODIHR-it. Berisha i kërkoi Audry Glover, në atë kohë drejtoreshë e ODIHR-it në Vjenë, që pjesë e raportit për zgjedhjet e 26 majit të ishte edhe tërheqja e opozitës përpara mbylljes zyrtare të kutive të votimit. Me gjithë insistimin kreu i shtetit në vitin 1996 mori një përgjigje negative, ku gjatë atij takimi Glover theksoi se raporti nuk do të ndryshonte. Pas qëndrimit të prerë të drejtoreshës së ODIHR-it, Berisha është shprehur se ajo nuk do të lejohej të vinte më si vëzhguese në vendin tonë.
Vëzhguesit
Për vetë rëndësinë që do të kenë, zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit do të jenë më të monitoruarat si nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe vëzhguesit vendas. Deri tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën me 40 vëzhgues afatgjatë të ODIHR-it, si dhe një ekip të Komitetit të Helsinkit. Por gjatë ditëve të ardhshme pritet të miratohet edhe lista e rreth 500 vëzhguesve të huaj që do të ndjekin vetëm ditën e zgjedhjeve si dhe një ekip prej 2600 vëzhguesish të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.