E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentohet për vdekje ish kreu i PS së Gjirokastrës, Resul Llogo

Aksidentohet për vdekje ish kreu i Partisë Socialiste të Gjirokastrës, Resul Llogo. Ngjarja ka ndodhur në orën 11:30 të ditës së djeshme në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë pranë kthesës së fshatit Mashkullorë rreth 5 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, mësohet se automjeti i drejtuar prej vetë të ndjerit, tip Mercedes Benz me targa GJ 46 77 A, ndërsa ishte duke udhëtuar në drejtim të Gjirokastrës, pasi kishte marrë pjesë në një ngushëllim në fshatin Kardhiq, ka dalë nga rruga duke përfunduar në fushë të hapur pasi është përplasur me bordurën e betontë të kanalit ujitës përbri serave të fshatit. Ky fakt konfirmohet edhe nga ana e Policisë së Gjirokastrës përmes burimeve zyrtare. Në momentin e aksidentit në automjet nuk udhëtonte njeri tjetër, ndërkohë policia konfirmon se shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të makinës nga ana e viktimës. Dëshmitarët në vendngjarje janë shprehur se automjeti është përplasur fillimisht me një masiv inertesh anës rrugës dhe më pas ka përfunduar në krahun e djathtë të fushës në këtë aks nacional. Resul Llogo, 65 vjeç mbante gradën Prof. Dr dhe ka qenë një ndër intelektualët më aktivë në jetën politike në jug të vendit. Ka mbajtur mjaft herë postin e kreut të PS në vitet 90, kur në qeverinë e parë të Berishës mjaft herë është izoluar për orë dhe ditë të tëra nga policia në vitet 95-96 si presion për aktivitetin e tij aktiv politik që zhvillonte në jug të vendit. Në vitet 1997-2001 krahas detyrës si kryetar lokal i PS ka mbajtur edhe postin e drejtorit të arsimit në Gjirokastër. Në vitin 2001 deri në maj të 2007 ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës i zgjedhur dy herë rresht me votat e këshilltarëve socialistë. Njëkohësisht ai ka qenë mjaft herë këshilltar në Këshillat Bashkiake të Gjirokastrës. Së fundi, ai ishte drejtor ekzekutiv i Fest-Argjiro 2009. Prej një viti mbante detyrën e shefit të Qendrës Kulturore në Gjirokastër. Resul Llogo është autor i mjaft botimeve me karakter psikologjik dhe letrar. Ai është një prej themeluesve të festivalit të veglave popullore në rang kombëtar që zhvillohej çdo vit në Gjirokastër kur ai mbante postin e kreut të Qarkut jugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›