Policia ndalon një 35-vjeçar, nën hetim dhe tre persona
Sherret mund të ndodhin edhe për motive racore. Kështu ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Pojan, të Rrethit të Korçës, kur mes një grupi romësh dhe egjiptianësh për pak sa nuk është shkaktuar një gjakderdhje nga të shtënat e armëve. Grindja mes dy grupeve ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së familjes rome Ramadani. Aty kishin ardhur edhe fqinjët që, sipas hetimeve të policisë, nuk ka qenë hera e parë që krijonin debate dhe konflikte mes tyre që nga çështjet e pronësisë dhe deri te sherret për ngacmime reciproke të femrave. Por debatet mes dy grupeve të romëve dhe egjiptianëve fqinj me njëri-tjetrin kanë shkuar deri tek ofendimet mbi racën dhe ngjyrën. Policia bëri të ditur se në debat e sipër, 35-vjeçari Xhuma Ramadani ka tentuar të vrasë bashkëfshatarët e tij, duke qëlluar me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar. Xhuma Ramadani është arrestuar nga uniformat blu për "kanosje serioze për vrasje" dhe "armëmbajtje pa leje". Burimet e policisë thanë se veç Xhuma Ramadanit, po ndiqen në gjendje të lirë edhe tre persona. Nga hetimet dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve, policia bëri të ditur se personat kanë qenë nën efektin e pijeve alkoolike kur kanë rifilluar si çdo herë sherret mes tyre. Në vendngjarje policia gjeti dy gëzhoja dhe sipas saj Xhuma Ramadani ka qëlluar dy herë dhe më pas i është bllokuar arma.
Ju.Dh.
Ju.Dh.