Aksion i madh policor në Kërçovë, Strugë dhe Dibër

Mbi 15 të arrestuar është bilanci i aksionit policor që nisi sot gjatë orëve të para të mëngjesit në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Në operacionin e ndërmarrë në Kërçovë, Strugë dhe Dibër janë arrestuar të dyshuar për trafikim dhe kontrabandë bagëtish dhe mallrash nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas policisë, një trafikim i tillë i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej disa milionë eurosh. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski tha se gjatë këtij aksioni në pranga kanë përfunduar edhe dy oficerë të lartë të policisë kufitare dhe disa nëpunës të tjerë policie, bashkëpunëtorë të rrjetit të trafikimit.
“Gjatë mëngjesit të sotëm u arrestua një numër i madh personash, bëhet fjalë për 15 të tillë në rajonin e Dibrës dhe rrethinë, si dhe në disa fshatra të Strugës e Kërçovës. Bëhet fjalë për një hetim që po zhvillohej prej kohësh , pikërisht për krim që ka nisur të bëhet prej vitit 2011 e këtej. Kryesisht veprat penale që u përkasin këtyre personave janë të lidhura me kontrabandë të bagëtisë. Deri tani MPB-ja ka evidentuar mbi 2 mijë krerë bagëti që në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë prej Maqedonisë për në Shqipëri, kështu që supozohet se të arrestuarit kanë realizuar përfitim të paligjshëm me vlerë disa milionë euro”, tha Ivo Kotevski, raporton Alsat-M.
Sipas tij, gjatë aksionit të sotëm janë kryer disa bastisje, me ç’rast janë sekuestruar para, armë dhe municione./Indeksonline/