E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksion policor Shqipëri-Mali i Zi, prangosen 25 persona për trafik droge

Operacioni organizohet në Mal të Zi. Sekuestrohen 35 kg kanabis sativa dhe 70 mijë euro
Policia Malazeze në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka vënë në pranga 25 persona të dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga Policia jonë e Shtetit, konfirmuan mbrëmjen e djeshme se hetimi për arrestimin e këtyre personave kishte filluar disa muaj më parë. Ndërsa ditën e djeshme, në sajë të bashkëpunimit ndërmjet dy policive është bërë e mundur dhe përfundimi me sukses i këtij operacioni gjatë të cilit janë sekuestruar 35 kg kanabis sativa, 70 mijë euro dhe 7 automjete. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se ndër personat e arrestuar, janë  dhe një oficer policie i Malit të Zi si dhe një zyrtar i Agjencisë së Sekuestrimit të Pasurive. Por sipas të njëjtave burime, ndërmjet personave të arrestuar janë edhe organizatorët e grupeve trafikante, ndërkohë që aksioni është planifikuar dhe përfunduar në territorin e Malit të Zi. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasit e arrestuar ditën e djeshme, për një kohë të gjatë kanë trafikuar drogë të llojit kanabis sativa nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë në vendet e Evropës Perëndimore. Ky operacion u parapri nga një takim mes zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi, Prokurorit Special të Luftës Kundër Krimit të Organizuar me drejtues të lartë të Policisë Shqiptare dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë takim, të dyja palët shkëmbyen informacione, të cilat çuan në përfundimin me sukses të këtij operacioni. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta persona gjatë vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009 kanë trafikuar një sasi të konsiderueshme kanabis sativa.
Raporti i OKB, Ballkani vatër e drogës
Shqipëria fshihet nga harta e vendeve tranzit të drogës, ndërsa Ballkani është bërë një nga zonat më të sigurta për trafikun në Evropë. Në një përfundim të tillë ka arritur Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës, e cila ka publikuar pak ditë më parë raportin e saj më të fundit, që i referohet vitit 2007. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër drogës, tha në raportin e fundit se Ballkani, që është përdorur tradicionalisht për të trafikuar heroinë nga Afganistani dhe Azia Qendrore për në Evropën Perëndimore, po përdoret gjithnjë e më shpesh si rrugë furnizimi për të sjellë edhe kokainën në Evropë. Agjencia e OKB për luftën kundër drogës, në raportin e fundit të saj thekson se Ballkani sa vjen e po bëhet një rajon tranzit i kalimit të kokainës. Është bërë një nga zonat më të sigurta në Evropë për të kaluar lëndën narkotike drejt vendeve perëndimorë, thuhet në raport. Sipas tij, ndonëse tradicionalisht në Ballkan ka kaluar heroina, në kohët e fundit janë rritur konfiskimet e kokainës. Megjithatë, heroina mbetet droga më problematike që vjen nga Ballkani, që pas Afganistanit ndjek kryesisht rrugën Turqi-Bullgari-Rumani e më pas nga Shqipëria dhe Maqedonia shkon në Itali.
Sipas raportit më të fundit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, heroina që gjendet në tregjet e paligjshme të Evropës, e ka origjinën në Afganistan dhe kalon në Evropë përmes njërës prej rrugëve kryesore: Ajo e Ballkanit, apo e ashtuquajtur rruga e mëndafshit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›