E Shtunë, 31 Tetor 2026

Editorial / Vota e sovranit, letër higjenike për Uidhers&Co dhe demokracinë hibride me qeverisje diplomatësh

Nga Arjan PRODANI
Edhe ditën e djeshme ambasadori amerikan ishte në një aktivitet me një grupim të rinjsh. Dje ishte e mërkurë dhe pata fatin ta shikoj vetëm njëherë këtë ambasador. Të hënën e pashë dy herë, një herë me kartën e Adriatikut dhe njëherë tjetër me incitapin ku i dhuronte policisë shqiptare ca vegla për të luftuar krimin. Një ditë tjetër e kam parë ambasadorin amerikan duke mbajtur fjalim për infermierët dhe për mjekët e korruptuar, një ditë tjetër duke promovuar librin e Obamës e kështu me radhë ambasadori amerikan në Shqipëri është shndërruar në një showmen që ka pushtuar televizionet. Tashmë ambasadori amerikan është shndërruar në një lloj sekretari i Parë i Partisë së Punës ose më mirë me thënë një biçim Enveri, të cilin kishim ca kohë që e kishim harruar. Dje, diplomati Uithers tha se kushtetuta në Amerikë nuk mund të preket për arsye se amerikanët e kanë të shenjtë, ndërsa ne shqiptarët sipas Sekretarit të Parë Uithers e kemi paçavure. Në fakt vetëm këtu Uithers nuk gënjen, pasi kushtetuta e Shqipërisë jo vetëm që nuk është e shenjtë, por është një dokument që përdhoset sa herë dëshiron Uithersi, Uilson apo Edi Rama me Sali Berishën. Demokracia hibride shqiptare është hibride për arsye se presidenca është e shartuar midis ambasadorit Uithers dhe presidentit Topi, e majta opozitë midis ambasadorit anglez, holandez,gjerman apo danez  dhe kryesocialistit Rama, qeveria Berishë midis biznesmenit Fazlliç, këshilltarit Tom Ridge dhe Sali Berishës.  Ligjet shqiptare janë të mira kur i pëlqen mëkëmbësi amerikan Uithers dhe jo kur i voton parlamenti shqiptar. Kushtetuta shqiptare është e shenjtë kur do Uithers, apo paçavure kur do ai ta ndryshojë. Kjo është demokracia hibride, ku xhepistët e shoqërisë civile shndërrohen në redaktorë politikë të librave të udhëheqësve amerikanë, ku paratë për shëndoshjen e shoqërisë civile përdoren nga spiunë të rëndomtë të agjenturave të huaja në veprimtari antishqiptare,  apo më keq ku lëvizjet homoseksuale paraqiten si kulture dhe shoqëri moderne. Tashmë koston e demokracisë, pavarësisht hibride po e paguajmë me norma kulturore të një grupimi të interesuar për të na sjellë degjenerim dhe imoralitet. Shteti shqiptar ka kohë që ka vdekur së funksionuari dhe verdikti i sovranit shërben në vend të letrës higjienike për një grup ambasadorësh si Uithers&CO, që ndërhyjnë mbi vendimet e tij për interesat e tyre. Tashmë Sovrani popull nuk ka nevojë të votojë, pasi votat e sovranit i numëron Ambasadori Uithers, vendimet në vend të sovranit i merr ambasadori Uithers, qeverinë në emër të sovranit e drejton ambasadori Uithers, presidencën dhe prokurorinë në emër të sovranit i urdhëron ambasadori Uidhers.  Mjafton sakatimi i Kushtetutës, mjafton vendimi i kushtetueses për ligjin e lustracionit,  për të marrë vesh se kush e drejton shtetin shqiptar.  Mjafton të shikosh ditë për ditë fytyrën e ambasadorit Uidhers për të kuptuar se diplomacia amerikane është shndërruar në ekzekutiv, pushtet lokal, gjyqësor apo dhe mediatik në Shqipëri. Mjafton të shikosh fytyrën e Uithersit në ekranet televizive për të kuptuar se sa të pavlerë e kemi votën ne shqiptarët, sesa të pavlerë e kemi jetën kur vendimet për jetën tonë i merr një nëpunës i diplomacisë amerikane, sipas interesave të tij tregtare me politikanin e radhës apo kryebashkiakun e kryeqytetit. Në fakt ligji i lustracionit ishte një kurth për  demokracinë shqiptare, ishte një kurth për të përndjekurit, kurth për shpirtrat e atyre që u masakruan nga një regjim i egër dhe gjakatar. Kthimi i këtij ligji mbrapsht ishte poshtërsia e radhës e ambasadorit Uidhers ndaj shtresës së persekutuarve, ndaj disidentëve antikomunistë të internuar, burgosur, pushkatuar,apo varuar nga regjimi, si dhe  ndaj  demokracisë, në shërbim të kasketave të sigurimit të shtetit apo ushtrisë së hetuesve,  prokurorëve apo gjykatësve xhelatë vrasës. Amerika antikomuniste duket se në Shqipëri  është bërë njësh dhe bashkëpunon ngushtë me të kaluarën komuniste, bashkëpunim që sjell demokraci dhe qeverisje hibride.  Për të vërtetuar këtë fakt mund të shikojmë të ftuarit e ambasadës amerikane në festën e pavarësisë në datën 4 korrik ku shumica e tyre janë ish spiunë të regjimit komunist ose  ish funksionarë të këtij regjimi. Për më shumë mjafton të vërehet me vëmendje stafi i kësaj ambasade dhe shihet qartë se kush bën ligjin në përfaqësinë diplomatike të vendit që ka nxjerrë jashtë ligjit Partinë Komuniste.

Last Updated on Friday, 27 February 2009 21:31

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›