E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksionerët e Apple shpërblehen për besnikërinë

Kur Anton Marinovich mbushi 18 vjeç, gjyshja e tij i dhuroi 1 mijë dollarë me kushtin që ti investonte në bursë. Ai zgjodhi kompaninë Apple Inc. Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, investimi i tij tashmë vlen 240 mijë dollarë dhe i sjell atij rreth 1 mijë dollarë fitime çdo tre muaj.

“Është shumë bukur,” thotë Marinovich. “Kam dëgjuar për shumë njerëz në Silicon Valley që përballen me një fat të madh por nuk e mendoja kurrë se do të më ndodhte edhe mua.”

Gjatë vitit të fundit aksionet e Apple u rritën në vlerë me 77 % ndërsa për aksionerët fillestarë, kjo kompani është tashmë një kult.

Marinovich së bashku me të fejuarën e vet posedojnë dy iPhones, dy MacBooks, një iPad dhe 400 aksione të Apple.

Shumë aksionerë besnikë i blenë aksionet vite më parë, kur ato kushtonin pak dollarë. Ata i mbajtën aksionet falë dashurisë që kishin për kompaninë dhe produktet e saj, por tashmë po shpërblehen nga çmimi aktual i aksioneve që është rreth 600 dollarë copa dhe nga paratë e thata të kompanisë që arrijnë në mbi 100 miliardë dollarë.

Disa dhjetëra aksionerë individualë të Apple të intervistuar nga Reuters thonë se po i shpenzojnë paratë në pushime të shtrenjta. Praktikisht asnjëri prej tyre nuk ka në plan t’i shesë aksionet tani shpejt.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›