E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Ahmeti: Fatos Nano në 2005 më tha se “zgjedhjet do i humb”

TIRANE- Ish-kryeministri Fatos Nano e ka paralajmëruar humbjen e zgjedhjeve të PS-së në 2005, sipas një dëshmie që ka dhënë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Gjatë një interviste për ‘Albanian Screen’, Ahmeti tha se kur ende nuk kishin përfunduar zgjedhjet e vitit 2005 kishte komunikuar me ish-kryeministrin Nano dhe kishin folur pikërisht për këtë.

“BDI ka mbajtur kontakte të përhershme me shtetin shqiptar. Në vitin 2005 ishte fazë e parë e zgjedhjeve në Shqipëri, ish-kryeministri Nano më thirri në Shqipëri dhe më thotë “zoti Ahmeti si duket unë zgjedhjet do i humbi dhe tash kam një shqetësim si të kalojë lidhja juaj te shteti sepse juve shqiptar ju duhet, si parti politike që jeni”. Dhe këtë e bëri zoti Nano”, - u shpreh Ahmeti.

Ai i përgjigjet edhe pyetjes se si e bëri Fatos Nano këtë lidhje: “Tash unë fshehtësinë sesi komunikuan me zotin Berisha nuk e di, a drejtpërsëdrejti a përmes linjave bypasse, unë nuk e di. Mbas një muaji unë kam qenë i thirrur nga zoti Berisha në vizitë zyrtare në Shqipëri dhe jam treguar shumë i hapur, ia kam shprehur Berishës këtë shqetësim të zotit Nano. Nuk besoj se lidhjet kanë ekzistuar mes Berishës dhe Nanos, por kanë komunikuar me linja të tjera”, - ka komentuar më tej, Ahmeti.

I pyetur në lidhje me incidentet në Maqedoni, Ahmeti tha se: “Incidentet janë spontane, kemi kërkuar nga autoritet gjyqësore që ato të mos veprojnë në mënyrë selektive. Nuk ka forcë të organizuar pas këtyre incidenteve. Qeveria ka dënuar aktet, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat në televizione”, - tha ai. “Ne si shqiptarë të Maqedonisë, por edhe si shqiptarë në rajon jemi në udhë të mbarë”, - u shpreh Ahmeti.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›