Aksioni, asgjësohen parcela me hashash në Jug
Gjirokastër- Aksioni antikanabis ka mbërritur në fshatin Hoshtevë të Komunës Zagori të rrethit Gjirokastër dhe në fshatrat të Tepelenës.
Burimet policore bëjnë me dije se aty u konstatua një parcelë toke, e hapur rishtas në mes të pemve të larta në dalje të këtij fshati, dhe në këtë parcelë janë evidentuar 198 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Kanabis Sativa.
“Këto bimë varionin nga 140 centimetra të larta deri në 180 centimetra”- thanë burimet policore, duke shtuar se disa prej bimëve janë marrë në cilësinë e provës materiale ndërsa bimët e tjera janë asgjesuar në vend me anë të djegies.
Parcela është evidentuar gjatë një kontrolli që forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër po zhvillonin në Komunën Zagori dhe në momentin e evidentimit nuk është gjetur asnjë person në këtë parcelë.
Policia po punon për evidentimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale, pasi deri më tani nuk ka të ndaluar.
Krahas këtij aksioni, në fshatin Hormovë të rrethit Tepelenë është asgjësuar një tjetër parcelë me hashash. “Në momentin e evidentimit nuk është gjetur asnjë person në këtë parcelë.Policia po punon për evidentimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale”- thanë burimet.