Çelsi shkatërron Milanin në turneun e Moskës
Përfundon me një figurë të shëmtuar përvoja e Milanit në turneun e Moskës: në "finalen e vogël" për vendin e tretë, kuqezinjtë që zbritën në fushë pa sulmues dhe fantazistë të mirëfilltë, humbën dje 5-0 me Çelsin. "Blutë" në epërsi pas 3 minutash lojë me Lampardin, e mbyllin pjesën e parë 3-0, falë një dygolëshi të Anelkasë, i favorizuar edhe nga një gafë e Kalacit. Në 15 minutat e para të pjesës së dytë, francezi shënon dhe një dygolësh tjetër. Gushti qenka sezoni i kohës së freskët, por ndonjëherë shumë i dëmshëm. Dhe "uragani" i golave, që ka rënë dje mbi Milanin në versionin moskovit, mund të lerë ndonjë shenjë psikologjike te një skuadër që, me gjithë justifikimet që mund t'i lejohen (brazilianët olimpikë, Kaka dhe sulmuesit e tjerë të dëmtuar, gjendja fizike e dobët), shqetëson për thyeshmërinë e lehtë në mbrojtje. I zbritur në fushë me një formulë absolutisht të sajuar, (Ambrozini, sulmues i vetëm; Pirlo, fantazist; Zambrota e Jankulovski, anësorë të sulmit), "Djalli" doli jashtë loje pas 8 minutash, në të cilat Çelsi mblodhi vetëm frutet e gabimeve të kuqezinjve në mbrojtje, duke e mbyllur diskutimin e rezultatit me Lampardin dhe Anelkanë. Më dobët nga reparti mbrojtës, ku u rishfaq Maldini, ishte Kalaci, i shokuar ndoshta nga dualizmi me Abiatin. Australiani "u dhuroi" golin e tretë londinezëve dhe bëri një sërë gabimesh vërtet shqetësuese. Në fazën mbrojtëse, pak ose asgjë për t'u vërejtur as në pjesën e dytë, kur, mes një goli dhe një tjetri të të papërmbajtshmit Anelka, Ançeloti provoi të ndryshojë diçka, duke përfshirë Sedorfin e Paloskin: sulmi i Milani, pa fantazi e ide, të jepnin përshtypjen e një mungese ekzistence të plotë. Duke qëndruar te notat negative, është për t'u vërejtur prova e Shevçenkos kundër Milanit: edhe në një ditë të lehtë për Çelsin, ku spikati treshja Lampard-Anelka-Malouda, hapësira për ukrainasin ishte rreth 23 minuta, kur rezultati ishte 5-0.