E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni i 14 janarit, “Për e Kundër”

Edhe pse aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje i 14 janarit për bllokimin e dy pikave kufitare thirret edhe në emër të mbrojtjes së prodhimeve vendore, kjo Lëvizje, pos që nuk ka gjetur përkrahjen e pozitës dhe të opozitës, ajo nuk e ka marrë përkrahjen as të disa organizatave që përfaqësojnë një pjesë të bizneseve në vend, siç është Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Sikurse qeveria dhe opozita, edhe këto organizata që përfaqësojnë biznese kosovare mendojnë se adresa për zgjidhjen e këtyre problemeve është Prishtina zyrtare dhe jo bllokimi dhe barrikadimi i pikave kufitare.

Kundërshtimi më i madh ndaj aksionit të 14 janarit është bërë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, paralajmërimin e Vetëvendosjes për bllokimin dy pikat kufitare, në Merdare dhe Dheu i Bardhë, e ka quajtur veprim që nuk përkon me realitetin e as me traditën e popullit tonë.

“Në agjendën politike njeriu duhet të jetë edhe i durueshëm, vinë zgjedhjet maten vlerat, vizionet e secilit, por në asnjë rrethanë të mos lejohen veprime që nuk përkojnë me këtë shekull, nuk përkojnë me këtë realitet, dhe nuk përkojnë as me traditën e popullit të Kosovës e lere me traditën Kuq e Zi, as nuk përkojnë me traditën e formulimit Vetëvendosje, por të formulimit ‘vetëfundosje’ definitivisht, as Kuq e Zi, apo të përsëriti kryeministrin Berisha, ‘faqezi’”, është shprehur Thaçi.

Për aksionin e 14 janarit ka folur edhe kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e cila ka thënë pwr Kosovapress se bllokimet dhe barrikadimet nuk i takojnë politikave moderne Evropiane, por i takojnë politikave tensionuese.

“Lëvizja e lirë e njerëzve e mallrave, ideve e kapitalit janë katër liritë e njohura mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe bllokimi apo barrikadimi nuk i takojnë politikave moderne apo politikave evropiane, por pikërisht i takonë politikave të cilat i kanë dhënë shumë tensione dhe i kanë dhënë shumë dhimbje këtij rajoni”, ka thënë ajo.

Ajo ka shfaqur dyshimin e saj se Lëvizja Vetëvendosje ka ndonjë program të qartë të politikës së jashtme për shtetin e Kosovës. Sipas saj, nëse Vetëvendosja është përcaktuar për një politikë të jashtme perëndimore, atëherë, barrikadat dhe bllokadat bien ndesh me politikat demokratike euroatlantike.

Shpend Ahmeti i është kundërpërgjigjur akuzave të kabinetit qeveritar, duke thënë se ajo që Lëvizja Vetëvednosje do të bëjnë më 14 janar, është aksion në mbrojtje të Kuvendit dhe të Republikës së Kosovës.

“Po dalim në mbrojtje të një vendimi të institucionit të Republikës së Kosovës, po dalim në mbrojtje të Kuvendit, në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës dhe në mbrojtje të Republikës. Domethënë nuk ka rrugë tjetër pos të dalim në rrugë dhe ta mbrojmë këtë shtet”, ka thënë ai.

Ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të subjekteve tjera opozitare, kanë qasje tjetër për veprimet politike të tyre të cilat deklarojnë se janë për t’i bërë brenda institucioneve.

Ismet Beqiri nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se veprimet e LDK-së janë vetëm brenda institucioneve dhe shton se marrja në dorë e kësaj punë nuk do të ketë efekt.

“Ne veprimet tona i kemi vetëm brenda institucioneve dhe si të tillë edhe do të sillemi. Ne kërkojmë që Qeveria, pra institucionet përkatëse, t’i kryejnë obligimet që kanë dhe marrja në dorë e kësaj pune jashtë institucioneve nuk konsiderojmë se mund të ketë efekt. Përkundrazi, ne institucionet nuk mund t’i zhveshim sado që janë të lodhëta dhe nuk e kryejnë punën e tyre, ato janë institucione dhe duhet të kryejnë punën e tyre”, ka thënë ai.

Edhe Ardian Gjini nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mendon se zgjidhja e këtij problemi duhet të kërkohet në parlament e jo jashtë tij.

“Mendoj se forcat politike parlamentare duhet të provojnë që t’i detyrojnë institucionet e Kosovës që ta kryejnë punën e vet. Kjo është rruga demokratike, kjo është rruga që duhet ta përdorin forcat politike që janë në Kuvendin e Kosovës. Veprimet e popullit nuk mund të jenë të tilla, nëse i atribuohen një force politike parlamentare, atëherë nuk kemi të bëjmë me proces popullorë për bllokimin e pikave, por kemi të bëjmë me një ide të një parti politike për bllokimin e pikave”, ka thënë ai.

As komuniteti i biznesit, respektivisht disa nga asociacionet që e përfaqësojnë këtë komunitet, nuk ka parapëlqyer dhe as mbështetur aksionin e paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e dy vendkalimeve kufitare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se zgjidhja e probleme të tilla bëhet në Prishtinë dhe jo duke i bllokuar kufijtë e vendit.

“Duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë se problemet aktuale nuk zgjidhen në kufi në Merdare, ato zgjidhen në Prishtinë. Prandaj adresa ku duhet të zgjidhen këto probleme duhet të jetë Prishtina dhe jo kufiri. Nuk duhet gjithmonë të mësojmë nga të këqijat dhe të këqijtë, është koha kur duhet të promovohen vlera, është koha kur duhet të promovojmë kulturë të dialogimit dhe dialogimi të jetë çelës i suksesit në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë ai.

Por ndryshe mendon kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, i cili ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e kufirit për mallra serbe ishte fatal për bujqësinë dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Sipas tij, e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë e krijuar është që bujqit dhe shoqëria civile të dalin në përkrahje të aksionit të 14 janarit.

“E vetmja rrugëdalje në këtë situatë të krijuar na mbetet që FSBK-ja, bujqit, shoqëria civile, shoqatat nga sektorët e ndryshëm të bujqësisë dhe subjekteve tjera së bashku me popullin të dalim më 14 janar në dy pikat doganore Merdarë dhe Dheu i Bardhë, që të mbrojmë vendimin e Kuvendit dhe që të mos lejojmë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se do të qëndrojnë në këto dy pika kufitare së bashku me aktivistët e Vetëvendosjes deri në zbatimin nga ana e qeverisë të vendimit të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës për reciprocitet me Serbinë.

Një përkrahje, kësaj radhe “morale” për aksionin e 14 janarit ka ardhur nga kryesia e Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës. Nënkryetari i saj, Alush Sejdiu, i kontaktuar përmes telefonit nga Kosovapress ka thënë se nuk janë kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje për t’i përkrahur ata më 14 janar.

“Neve nuk na ka kontaktu kërkush nga Lëvizja Vetëvendosje, ato informata çka i kemi, i kemi nga mjetet e informimit. Çdo kërkesë e cila ka të bëjë për çështje sociale, çështjet e punëtorëve sigurisht ne e përkrahim moralisht. Sa i përket daljes në rrugë ne nuk kemi kurrfarë oferta dhe kurrfarë kontakti. Këto çështje janë politizu shumë dhe s’kemi një qëndrim të drejtën me ju thanë pasi që nuk jemi kontaktu”, ka thënë ai.

Një qëndrim kundër këtij aksioni ka shfaqur edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB). Kryetari i saj, Agim Shahini, ka thënë pwr Kosovapress se nuk do të jenë pjesë e aktiviteteve “politike” të ndonjë partie politike.

“Ne si aleancë nuk kemi qëndrim që ta mbrojmë apo ta ndihmojmë apo ta pengojmë ndonjë parti politike në aktivitetet e veta politike. Prandaj, në këtë rast, ne do të jemi ata të cilët nuk do të jemi pjesë e aktivitetit politik. Ne jemi pjesë e zhvillimeve ekonomike, jemi pjesë e proceseve ekonomike të Kosovës dhe ne nuk kemi mision që të bllokojmë apo t’i kundërvihemi me forma të protestave dikujt për pakënaqësitë që ne kemi”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, përderisa AKB-ja nuk është përcaktuar për ndonjë subjekt politik, ajo nuk mund të jetë krah i ndonjë subjekti politik. Ai ka shtuar se këtë radhë do të jenë karshi ligjit, karshi institucioneve shtetërore të Kosovës.

Kryetarit të AKB-së i është kundërpërgjigjur Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se mendimet e tij nuk i përfaqësojnë të gjitha bizneset në Kosovë, pasi, sipas tij, i njëjti person dhe e njëjta organizatë gjatë periudhës së reciprocitetit, gjatë vitit të kaluar, ka thënë se ato ditë kanë qenë ditët më të mira për prodhuesin dhe biznesin kosovar.

“Nuk mendojmë se ai individ që ka fol flet në emër të të gjitha bizneseve në Kosovë kur e dimë se i njëjti person dhe po e njëjta organizatë gjatë periudhës së reciprocitetit të verës së vitit të kaluar ka thënë se ato kanë qenë ditët më të mira për prodhuesin dhe biznesin kosovar, bile-bile i kanë dërguar disa letra qeverisë ku kanë kërkuar që reciprociteti të vazhdojë. Domethënë se nëse atëherë kanë qenë në parim në përkrahje të reciprocitetit, atëherë unë mendoj se sot nuk ka lidhje a e organizon një lëvizje, a e organizon një parti politike, apo a është vendimi politik”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në qoftë se është parimi i mirë, i drejtë dhe në interes të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht në interes të prodhuesve kosovarë, atëherë ata do të duhej të ishin në përkrahje të 14 janarit.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se më 14 janar të dal në dy pikat kufitare, në Merdare dhe Dheu i Bardhë, në mënyrë që të bllokojë hyrje e mallrat serbe në Kosovë. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›