Nedelkoviq pro referendumit

Ai ka kritikuar ashpër deklaratat e disa politikanëve serbë se liderët në veri të Kosovës janë duke pasqyruar qëndrime të kundërta me vullnetin e popullit, për shkak se ata janë kinse nën trysninë dhe ndikimin e disa kriminelëve të cilët nuk janë duke lejuar integrimin e veriut në institucionet e Kosovës.
“Referendumi është mënyra më e mirë që në këtë moment të shihet a jemi vërtetë në rrugën e duhur, apo populli dëshiron diçka tjetër”, ka thënë Nedelkoviq, duke shtuar se referendumi është i domosdoshëm.
Sipas tij, përmes këtij referendumi do të pengohet instalimi i institucioneve të Kosovës në veri, ndërkohë që do të ruhen institucionet e Serbisë në këto hapësira.
Ai ka mohuar pohimet se referendumi është në kundërshtim me interesat shtetërore të Serbisë.
“Unë nuk shoh se jemi duke bërë diçka që pengon Serbinë për t’u inkuadruar në BE. Edhe për ne një gjë e tillë do të ishte më mirë dhe të gjithë serbët e Kosovës pa dallim do t’i gëzoheshin hyrjes së Serbisë në BE”, ka thënë i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq. (Kosovapress)