Tahiri: Certifikimi nuk nënkupton ndërrimin e logove
Në raundin e tetë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur në Bruksel, ishte arritur marrëveshja për njohjen e diplomave reciproke të Kosovës dhe Serbisë, por ende mbetet problem Universiteti i Mitrovicës, i cili nuk pranon logon e Republikës së Kosovës.
Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë për Kosovapress se certifikimi nënkupton lëshimin e një dokumenti shtesë dhe assesi ndërrimin e logove në diploma.
“Marrëveshjen për njohjen e diplomave reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Bruksel, nënkupton që certifikimi i diplomave do të bëhet nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane dhe me këtë rast certifikimi nënkupton që ky asociacion të lëshojë një dokument certifikues, me të cilin mbështetet validiteti i diplomës dhe në asnjë rast nuk nënkupton heqjen e logove shtetërore që mund të ketë një diplomë”, ka thënë Tahiri.
Për më tepër ajo ka shtuar se certifikimi ndërkombëtar nuk mund të tjetërsojë dokumentin që e lëshon një shtet, por nënkupton një certifikatë shtesë që i bashkëngjitet diplomës, i cili në rastin e Kosovës përmban logon e shtetit të Republikës së Kosovës si dhe universitetit përkatës.
Tahiri ka shtuar se sa i përket akreditimit, Kosova në këtë aspekt është mjaft mirë, por sipas saj Universiteti i Mitrovicës, i cili quhet edhe si një degë e Universitetit të Prishtinës, kontrollohet nga strukturat paralele.
Ndonëse me mbështetje nga institucionet e Republikës së Kosovës, ky universitet ende nuk është i certifikuar, përkatësisht nuk është i licencuar për shkak se në logot e tyre nuk shihet Republika e Kosovës.
Tahiri ka theksuar se drejtuesit e këtij universiteti ballafaqohen me vështirësi, ndërsa i ka ftuar ata që sa më shpejt t’i heqin logot që nuk përkojnë me realitet të shtetit ku jetojnë dhe të vënë logot e Republikës së Kosovës.
E pyetur se a do të marrin masa institucionet e vendit që këtë universitet ta mbyllin, apo edhe ta kthejnë nën juridiksionin te ligjeve të Kosovës, Tahiri ka thënë se kjo çështje i takon Ministrisë së Arsimit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri po ashtu ka njoftuar se është duke u përgatitur një zyre ndërkombëtare në kuadër të Ministrisë së Arsimit, cila do të administron kërkesat e qytetarëve për certifikimin e diplomave.
“Ne tash si qeveri jemi duke përgatitur një zyre ndërkombëtare në kuadër të MASHT-it dhe kjo zyre në fakt do të jetë një zyre ndërkombëtare, ku Asociacione i Universiteteve Evropiane do të ketë përfaqësuesit e vet, të cilët kanë për obligim të administrojnë kërkesat e qytetarëve për certifikimin e diplomave. Më pas nga kjo zyre dokumentet barten në Bruksel, ku është selia e Asociacionit të Universiteteve Evropiane, pastaj një panel akademik i këtij asociacioni bënë vlerësimin dhe certifikon diplomën dhe kthehet përsëri në Prishtinë dhe qytetari mund të shkojë në këtë zyrë të marr diplomën e certifikuar”, ka thënë ajo.
Sipas, Tahirit kjo marrëveshje është e rëndësishme për faktin se hap perspektiva për të gjithë studentët të cilët kanë diplomuar apo dëshirojnë të gjejnë perspektiva të punësimit qoftë në Kosovë apo Serbi.
Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave specifikon qartë se është fjala vetëm për universitetet e akredituara. Ndërsa zyrtarisht më 1 janar ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje.
Mediat serbe kanë shkruar ditë më parë se në diplomat e Kosovës nuk do të jetë mbishkrimi Republika e Kosovës, por vetëm Asociacioni i Universiteteve Evropiane. (Kosovapress)