E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i Vetëvendosjes, nisen drejt Kosovës mbështetës nga Tirana

TIRANE - Pavarësisht kritikave të ashpra dhe thirrjeve për të mos e zhvilluar aksionin në pikat kufitare, lëvizja "Vetëvendosje” pritet të organizojë sot rreth orës 13:00 protestën në dy pikëkalime kufitare me Serbinë për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Nisën drejt Kosovës aktivistë nga Tirana
Dy autobusë nga Tirana janë nisur sot drejt Kosovës rreth orës 7:00 të mëngjesit nga stadiumi ’Qemal Stafa’. Rreth 100 mbështetës të "Vetëvendosje”-s do t’i bashkohen protestës së sotme në pikat kufitare me Serbinë. Dy autobusët e nisur nga Tirana kanë një flamur kombëtar në pjesën ballore të tyre.

Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private.
Ditë më parë, në rrjetin social Facebook kreu i "Vetëvendosje”-s Albin Kurti bëri thirrje për pjesëmarrje në këtë aksion.

Policia e Kosovës merr masa
Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së “Vetëvendosje”-s , për këtë arsye ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.

Policia bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimin e tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosje”-s.
Policia sqaron se nëse është e nevojshme do t’i ndalojë të gjithë qytetarët që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre do të cënojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike.

Kurti: Protesta zhvillohet në momentin e duhur
Kryetari i “Vetëvendosje”-s Albin Kurti këmbëngul se organizimi i protestës zhvillohet në kohën e duhur dhe në formën e duhur.
"Protesta zhvillohet në momentin e duhur, pasi pritëm gati dy javë që qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e marrë më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Parlamenti, që Kosova të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.”-shprehet Kurti.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Aksioni i 'VV', SHBA paralajmëron qytetarët e saj: Bëni kujdes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›