E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aksioni kundër drogës, asgjësohen mbi 4 mijë bimë narkotike në veri të vendit

Policia vijon aksionin për asgjësimin e bimëve narkotike. Në Shkodër, Mirditë dhe në Tropojë ka asgjësuar në total 4165 bimë narkotike.  

“Në qarkun Shkodër, gjatë fazës së 9-të të operacionit policor të koduar “Alpe të pastra” u asgjësuan 3295 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në disa fshatra, në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë.

-Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së 30-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u asgjësuan 513 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në një fshat në Mirditë.  

-Në qarkun Kukës, gjatë fazës së 5-të të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna” u asgjësuan 357 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në terren malor, në Lekbibaj, Tropojë. Procedohet penalisht përgjegjësi i shërbimit pyjor të kësaj zone, shtetasi Gj. P., për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka kryer kontrolle në të gjithë territorin, duke përdorur edhe dronë, për kontrollin e zonave malore.

“Si rezultat i kontrolleve, në territoret e qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Kukës, janë gjetur dhe asgjësuar në total 4165 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa”, theksohet më tej në njoftim.

Ndërkaq, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›