E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Grabitnin me armë banesat, goditet grupi kriminal. Vihen në pranga 2 të rinjtë, një tjetër shpallet në kërkim

Policia ka goditur një grup kriminal në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Në aksionin e koduar “Piketat” janë zbardhur vjedhjet e ndodhur në Dhërmi, Golem dhe Kavajë duke vendosur në pranga 2 shtetas dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër.

“Zbardhen vjedhjet në 3 vila, në Dhërmi dhe në Golem, Kavajë. 

Goditet një grup kriminal që kryente vjedhje me armë dhe dhunë, në qytete të ndryshme të vendit.

Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Të tre shtetasit, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.    

Sipas policisë, ky grup kriminal në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje të banesave në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë. 

Gjithashtu, dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare.  

Sipas policisë, para vjedhjeve, ky grup kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.

“Sekuestrohen një sasi e konsiderueshme parash (euro, dollarë, paund, franga zvicerane dhe lekë), një automjet që autorët e përdornin për të lëvizur dhe veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve.  

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, menjëherë pas njoftimit të marrë për vjedhjen në dy vila në një kompleks banesash në pronësi të shtetasve A. D. dhe L. D., si dhe tentativën për vjedhje në një banesë në afërsi të kompleksit, në orët e para të mëngjesit të datës 22.07.2023, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer hetime të thelluara proaktive për zbardhjen e këtyre rasteve”, shkruhet më tej në njoftimin e policisë.

Policia bën të ditur se tre grabitësit janë të moshave 31, 22 dhe 33 vjeç. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërsa njihet për drejtësinë me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë.

“S. K., 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë; S. G., 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

Nga aksioni janë sekuestruar “3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.   

Ndërkaq, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të vilave dhe banesave të kryera nga ky grup dy vitet e fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›