E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni për një Shqipëri të pastër

 Rreth një muaj më parë, kryeministri Sali Berisha vendosi që 20 Prilli të jetë dita e “Shqipërisë së pastër” dhe sot me rastin e kësaj dite, ishte në Kamzë, në vendin e depozitimit të mbetjeve. 

“Qëllimi i kësaj dite, e cila do të fiksohet në kalendar si dita e mjedisit ose Shqipërisë së pastër, është që të ngremë vetëdijen që çdo qytetar shqiptar të kontribuojë për një Shqipëri të pastër. Kushti më themelor për të qenë e pastër është që qytetarët e saj të marrin vendimin për të mos hedhur nga xhepat, nga dyqanet, nga banesat e tyre hedhurina dhe mbetje”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë u shpreh se po ndërtohen 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza nga Velipoja në Ksamil, në mënyrë që në ujërat e deteve dhe liqeneve tona të derdhen vetëm ujëra të pastra. Ai bëri me dije se së shpejti fillon ndërtimi më kryesor ndër këto impiante, ai i trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës. Sipas Kryeministrit, ky është një investim prej 90 milionë euro, vetëm në fazën e parë. “Është hapur tenderi dhe gjatë këtij viti pritet të fillojnë punimet”, theksoi Berisha.

Kësaj nisme i janë bashkuar sot edhe punonjësit e policisë së shtetit, forcat e ushtrisë, si dhe pjesa më e madhe e punonjësve të administratës publike dhe nxënësit e shkollave. Në kuadër të kësaj nisme, punonjësit e policisë në të gjithë Shqipërinë, të cilët nuk ishin të angazhuar me shërbim, janë angazhuar në pastrimin e zonave të ndryshme në vend. Aksione pastrimi u organizuan në të gjithë Shqipërinë. Në aksione u angazhuan edhe qytetarët e shumtë, si në Kukës, Elbasan, Vlorë, etj. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-20 16:34
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›