E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: 2 mijë kosha të rinj në Tiranë

Administrata e Bashkisë, së bashku me operatorë të pastrimit kanë ndërhyrë për pastrimin e disa zonave të nxehta, të ndotura më së shumti nga inertet, si në Fushën afër  ish – “Kinostudios”, Fusha “Besa” (rruga “Siri Kodra” e re, në drejtim të Bregut të Lumit), Shkozë, Fusha tek ish - Uzina “Dinamo”, fusha në krah të Policisë Bashkiake, fusha pas Spitalit Nr. 5, zona e rrethuar tek ish - kinema “Dajti” e zona të tjera të Tiranës. 

Kryetari i Bashkisë, së bashku me nxënës dhe studentë ka lançuar nisjen e fushatës sensibilizuese “Të mbajmë Tiranën Pastër“. Kjo fushatë ndërgjegjësimi ka nisur me vendosjen e sloganeve nëpër kontenierë e makina të pastrimit, së bashku me numrin 0800-0888, për të denoncuar ndotjen e mjedisit, shpërndarjen e fletëpalosjeve e do të vijojë me transmetimin e spoteve televizive dhe me informimin e nxënësve, se si të kontribuojmë për një mjedis të pastër.

“Qytetin e mbajmë të pastër, jo për Kryetarin e Bashkisë apo për Bashkinë, as për qeverinë apo komshiun, por për veten tonë, për fëmijët tanë. Qytetin e mbajmë të pastër jo vetëm duke hequr mbeturinat, por edhe duke u kujdesur që të mos i hedhim ato kuturu, vend e pa vend, por t’i depozitojmë aty ku duhet dhe pikërisht për këtë arsye, ne zgjedhim këtë ditë sot, për të prezantuar një fushatë ndërgjegjësimi, vetëdijesimi të Bashkisë së Tiranës. Përveç lyerjes dhe pastrimit nëpër kontenierë, ne kemi nisur vendosjen e numrit të  telefonit, për të kontaktuar sa herë që ka problem. Ky numër është i disponueshëm 24 orë në ditë dhe është një pikë kontakti për të gjithë qytetarët, të cilët hasin probleme të ndryshme, në mënyrën e depozitimit të mbetjeve të tyre, ose për shkak të mungesës së kazanëve të plehrave, largësisë së tyre, apo depozitimeve të gabuara nga bashkëqytetarët e tjerë”, tha Basha.

Bashkia e Tiranës u ka kërkuar operatorëve të pastrimit, të vendosin mbi 2000 kosha për hedhjen e plehrave nëpër rrugët kryesore të Tiranës, ku dhe lëvizja e qytetarëve është më e madhe e po kështu do të mekanizojë procesin e pastrimit të rrugëve në kryeqytet. 

“Në këtë ditë, unë dua të lajmëroj qytetarët e Tiranës, se kontraktorët e pastrimit të qytetit do të vendosin mbi 2000 kosha për hedhjen e mbeturinave anembanë qytetit dhe blerjen e gjashtë automjeteve pastruese, të cilët do i bashkëngjiten flotës së tyre të operimit. Këto do të jenë automjete të reja dhe do i shërbejnë mekanizimit të mëtejshëm të pastrimit, në mënyrë që në qytet, të ketë më shumë mjete që pastrojnë me efiçencë dhe më pak pastrim me metodën e vjetër të fshesës”, u shpreh kryebashkiaku.

 Basha ka nënvizuar edhe rëndësinë e pagesës së taksës së pastrimit, si një kontribut shumë i rëndësishëm i çdo qytetari, për një Tiranë të pastër. Aktualisht, kostoja për pastrimin e Tiranës është rreth 10 milionë euro në vit.  /Start/

                                                                                             2012-04-20 16:52
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›