E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni te lojërat e fatit, bllokohet "Regency Casino"

Ditët e fundit, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, NJMLF, ka nisur një aksion të gjerë në rang vendi, nga ku ka konstatuar shkelje të ligjit, miratuar 6 muaj më parë nga Kuvendi i Shqipërisë. Struktura në varësi të Ministrisë së Financave njoftoi dje se gjatë aksionit është bllokuar ditën e djeshme kazinoja "Regency Casino", pranë kompleksit "Tajvan" në kryeqytet. Sipas NJMLF-së, "mungesa e certifikimit dhe përmbushjes së standardeve të reja për këto lojëra, detyruan inspektorët e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të plotësojnë procesverbalet dhe të rrethojnë me shirita të kuq 75 makineri elektronike të kësaj kazinoje. Pajisjet kanë dalë përkohësisht nga përdorimi, deri në plotësimin e detyrimit ligjor, në të kundërt do të sekuestrohen.

Më 15 korrik të këtij viti, skadoi edhe afati 6-mujor gjatë të cilit, sipas ligjit të ri për këtë lloj aktiviteti, duhej të përfundonte certifikimi i të gjitha makinerive elektronike në kazino, apo në sallat e lojërave të fatit në të gjithë vendin. "Aktualisht janë certifikuar vetëm 3 mijë makineri elektronike, ndërkohë që në të gjithë vendin ka rreth 6 mijë të tilla. Pra gjysma e makinerive elektronike ekzistuese është jashtë parametrave të kërkuara dhe me ligj duhet të dalin nga qarkullimi", sqaroi dje për mediat NJMLF-ja.

Për këtë qëllim, Njësia Mbikëqyrëse e Lojërave të Fatit ka nisur një aksion të gjerë në shkallë vendi, për bllokimin dhe më pas shkatërrimin e makinerive të padeklaruara, apo që nuk përmbushin standardet. Pak ditë më parë, njësia në varësi të Financave shkatërroi 100 makineri (slot makinë), pronë e disa kazinove në Tiranë dhe Shkodër.

Specialistët e njësisë mbikëqyrëse sqarojnë se certifikimi i makinerive elektronike ka të bëjë me një sërë kushtesh teknike, të cilat mbi të gjitha i ofrojnë lojtarit mbrojtje maksimale ndaj çdo forme të abuzivitetit nga zotëruesi i makinerive.

Në fillim të vitit 2009, NJMLF-ja nisi një aksion edhe më të gjerë në rang vendi, duke vendosur një mori gjobash, vlera totale e të cilave arrinte në rreth 500 mijë dollarë. Përveç gjobave, njësia e ngritur me ligjin e ri ka ndërmarrë një sërë bllokimesh dhe sekuestrimesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›