E Shtunë, 31 Tetor 2026

200-lekësh i ri në treg

Banka e Shqipërisë njoftoi dje se më datë 20 korrik shqiptarët pritet të marrin në dorë një kartëmonedhë të re, emetim i vitit 2007. Kartëmonedha e re 200-lekëshe nuk ndryshon shumë në pamje nga ajo ekzistuese që ne e kemi përdorur që nga viti 2001, por disa elementë sigurie janë më të përforcuar.

"Vendimi i vitit 2006 për rishtypjen e kësaj kartëmonedhe është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin e kartëmonedhës së prerjes 200 lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë", njoftoi Banka Qendrore.

Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja.

Kartëmonedha e re, e prerjes 200 lekë, emetim i vitit 2007, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 200 lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementëve të sigurisë, si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit.

Shenjat kryesore dalluese të 200-lekëshit të ri nga ai ekzistues janë: firma e guvernatorit Ardian Fullani; filli i sigurisë do të jetë më i gjerë; relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos te pjesa e teksteve dhe numrave, si dhe fakti që kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur nga lagështia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›