E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjetet ujore qarkullojnë pa kontroll

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka reaguar dje zyrtarisht lidhur me sigurinë në plazhe, për sa i takon kontrollit e mjeteve ujore në plazh. Sipas ZMK-së, kushtet në të cilat ndodhen turistët dhe pushuesit në shumë plazhe të Shqipërisë janë të rrezikshme, kjo si pasojë e mungesës së standardeve minimale të sigurisë. Ngjarja më e fundit është rasti ku qytetari kosovar 38-vjeçar, Sabit Kuçi, u aksidentua rëndë nga një motor uji në plazhin e Durrësit. "Asnjë forcë policie apo sigurie nuk ka vendosur asnjë standard për qarkullimin e këtyre mjeteve ujore dhe askush nuk i kontrollon këto mjete që shqetësojnë plazhistët me shpejtësinë me të cilat lëvizin", sqaron Zyrtarisht zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas ZMK-së, Ministria e Brendshme dhe organet e pushtetit lokal duhet të marrin masa të menjëhershme për të normalizuar situatën, sepse qytetarët nuk mund të presin më. Po ashtu, ZMK-ja sqaron se policitë bashkiake në Velipojë, Durrës, Golem, Vlorë, Himarë, Sarandë duhet të marrin urgjentisht rolet dhe përgjegjësitë që u takojnë. Më tej, në deklaratën e Zyrës së Mbrojtjes së konsumatorit shkruhet se: "Plazhet kërkojnë plotësim të standardeve minimale të sigurisë dhe kullat e rojës bregdetare duhen vënë urgjentisht në funksion që tragjedi si ato të një jave më parë në Vlorë të mos ndodhin më". Në plazhin e Durrësit, shoqatat dhe komuniteti i biznesit i kanë ofruar Bashkisë së Durrësit 10 kulla roje, të cilat kanë mbetur të shkreta prej 2 vjetësh, pasi sipas ZMK-së, ende nuk është miratuar buxheti për rojet e plazhit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›