Akt ekonomik apo politik?!
Xhavit Haliti
- Në fund të gushtit u shfaqën publikisht ankesa dhe vërejtje nga biznesmenë dhe shoqata biznesmenësh nga Kosova dhe Shqipëria, për raportet tregtare në mes tyre. Ankesat e të dy palëve, që “fajësonin” administratat doganore të të dy shteteve, mbështeteshin në argumente të mjaftueshme. Çdo palë pretendonte se kishte të drejtë, dhe kjo dukuri është e arsyeshme në kushtet aktuale: Jetojmë në ekonominë e tregut të lirë, që përballen jo vetëm biznesmenët bashkëkombës,por dhe vëllezërit bashkëpronarë.
Anulimi i barrierave doganore për importet nga Shqipëria, ishte kryesisht një akt atdhetar. Ngjarjet e fundgushtit, nxorën në pah një dukuri në raportet e derisotme mes dy shteteve. Nuk mund të mos vlerësohen arritjet e deritashme mes tyre. Kurrsesi nuk mund të anashkalohen lidhjet e krijuara në fushën e arsimit dhe kulturës, sikurse nuk mund të nënçmohen arritjet në bashkëpunimin politik, social, infrastrukturor, madje dhe shpirtëror.
Është folur dhe vazhdon të flitet për përforcimin e gjithë rrugëve dhe mjeteve në funksion të integrimit të gjithanshëm mes dy shteteve. Ky integrim me predispozitën për të qenë i realizueshëm, i vërtetë, i plotë dhe funksional, ka filluar të jetësohet në arsim, kulturë, shkencë, diplomaci. Gjithçka është thënë dhe është premtuar për integrimin mes dy shteteve shqiptare të Ballkanit, por ekonomia që është arteria kryesore e ekzistencës dhe e funksionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore duket si e lënë në haresë. Ky fakt i konstatuar, që mendoj se është i saktë, kam bindjen se nuk është pjellë e ekonomisë. Besoj dhe pres që politika shqiptare në të dy anët e Qafë Morinës ta ketë në konsideratë dhe ta zgjidhë. (Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)