E Diel, 1 Nëntor 2026

Akte turpi me 3 fëmijë, kapet maniaku

Një 60-vjeçar që zhvishej para fëmijëve të mitur, kryesisht vajza, dhe u shqiptonte atyre fjalë intime, është vënë në pranga dje nga policia e Korçës. Vangjel Hoxha, 60 vjeç, nga Maliqi, është izoluar në qeli me akuzën e “kryerjes së veprimeve të turpshme me fëmijë të mitur”. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Korçës. Sipas të dhënave, 60-vjeçari dyshohet se kryente veprime të turpshme prej disa kohësh.

Një denoncim i vetëm ka qenë shkak për arrestimin e 60- vjeçarit, por hetimet e policisë zbuluan abuzimin e tij edhe në dy raste të tjera. “Edhe pse prej thuajse tri vitesh Vangjel Hoxha kryente këto veprime ndaj fëmijëve të mitur, asnjë prej banorëve nuk kishte ngritur denoncim ndaj tij në polici”, thanë burimet. Ai është vënë në pranga dje në orët e mëngjesit, pas denoncimit që u depozitua në polici nga babai i një vajze 16-vjeçare. Ka qenë kjo e fundit që pas ngacmimit nga i moshuari ka rrëfyer në shtëpi se Hoxha e ka ngacmuar në rrugë dhe ka kryer vepra të turpshme ndaj saj. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në një lagje periferike të qytetit të Maliqit. Nën gjendje psikologjike të rënduar nga ajo që i ka ndodhur, vajza u ka treguar prindërve, të cilët menjëherë kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë. Denoncimi ka vënë në lëvizje forcat e rendit, të cilat nga kontaktet me banorët zbuluan edhe dy raste të tjera ku 60-vjeçari ka kryer vepra të turpshme, konkretisht me një djalë 8 vjeç me inicialet O. Zh. dhe një vajzë 13- vjeçare me inicialet M. Zh.


DENONCIMI I BABAIT

“Vangjel Hoxha ka ngacmuar seksualisht vajzën time në mes të rrugës. Vajza, 16 vjeçe, ka ardhur në shtëpi tejet e tronditur dhe më ka treguar se çfarë i ka ndodhur”, ka thënë babai në polici. Sipas shpjegimeve, vajza ka qenë duke kaluar në rrugë, pasi familja banon në të njëjtën lagje me të dyshuarin. Ai, sapo e ka parë, dyshohet se ishte zhveshur dhe i ishte afruar duke i hedhur fjalë ngacmuese. “Merrni masa sepse ai njeri po na ngacmon fëmijët dhe nuk është hera e parë. E kemi toleruar, por nuk mund të lejojmë të na cenojë fëmijët”, mësohet se ka thënë në polici babai i 16- vjeçares. Menjëherë pas denoncimit, policia është drejtuar për në banesën e 60- vjeçarit duke e ndaluar atë. Grupi i hetimit ka nisur të marrë edhe dëshmi nga fqinjët dhe banorët e Maliqit, duke dokumentuar kështu edhe raste të tjera të ngacmimit ndaj fëmijëve nga i njëjti person. Ndërkohë nga familjarët e të arrestuarit ka reaguar bashkëshortja e tij, e cila ka apeluar për lirimin e të shoqit duke deklaruar se ai është një person i sëmurë që prej tri vitesh, kur pësoi një aksident. “Ai ka qenë baba model dhe shumë i përgjegjshëm, nuk e di si mund të ketë ndodhur diçka e tillë. Di vetëm të them që unë dhe fëmijët jemi të tronditur dhe gjithçka nisi 3 vite më parë, kur ai u përplas nga një automjet. Pas aksidentit nisën dhe këto shqetësime”, ka thënë e shoqja e 60-vjeçarit. Sipas saj, bashkëshorti i saj nuk është kriminel, është thjesht një njeri i sëmurë. “Ne kemi një jetë që jetojmë këtu. Të gjithë na njohin dhe e dinë që nuk i kemi rënë në qafë askujt”, ka thënë gruaja e të dyshuarit.

GRUAJA: ËSHTË I SËMURË

Burbuqe Hoxha, gruaja e Vangjel Hoxhës, personit të ndaluar dje nga policia, tha për gazetën “Panorama” se 3 vite më parë bashkëshorti i saj ka pësuar një aksident. Sipas saj, prej atij momenti ajo shpesh është përballur me ankesat e banorëve të Maliqit për veprimet e bashkëshortit, por ai asnjëherë nuk i ka kryer këto veprime në prezencën e saj apo të fëmijëve. “Nuk dija gjë, vetëm kur erdhi policia dhe e arrestoi. Dy punonjës policie nisën të pyesin fqinjët për veprimet e bashkëshortit tim. Unë nuk e di se çfarë kanë thënë, por besoj se të njëjtat gjëra që më kanë thënë edhe mua më parë”, tha dje e shoqja e të dyshuarit. Ajo bëri me dije se ka pasur ankesa nga banorët e zonës, që i kanë thënë se i shoqi zhvishej dhe kryente veprime të turpshme në sy të fëmijëve dhe grave. “Më kanë thënë edhe se kur nuk isha unë në shtëpi, ai dilte dhe ecte në oborr i zhveshur, por kur unë e pyesja, ai ma mohonte këtë gjë. Asnjëherë nuk ka kryer veprime të tilla në prezencën time apo të 4 vajzave”, tha dje bashkëshortja e të arrestuarit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›