Sfidë, arritja e konsensusit

E dakorduar në Bruksel më 19 prill, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të pres edhe ratifikimin në Kuvendin e Kosovës për të filluar zbatimin e plotë të saj. Para fillimit të zbatimit të saj në terren, për Qeverinë e Kosovës mbetet fillimisht sfidë arritja e konsensusit të përgjithshëm politik në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes, e cila kërkon dy të tretat e votave të deputetëve. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur që në fillim kundërshtimin e saj, ndërkohë, edhe shqiptarët në veri nuk shprehen të kënaqur me marrëveshjen.
Fevzi Beqiri është banor i Lagjes së Boshnjakëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Beqirit i duket se shqiptarët e kësaj pjese të Kosovës janë anashkaluar në dialogun e zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Beqiri ka një kërkesë për kryeministrin Thaçi.
“Ne kemi kërkesë për kryeministrin me stafin e vetë që sa më shpejtë të vijë në Mitrovicë me banorët në veri dhe gjithë banorët që nuk i kanë shitur pronat në veri ta mbajmë një tubim popullor dhe t’i japim vërejtjet dhe sugjerimet tona rreth Mitrovicës dhe veriut të Kosovës”, tha Beqiri për Radio Kosovën.
Zbatimin e marrëveshjes, Beqiri e sheh si një legjitimim të bandave kriminale serbe që për 14 vjet e kanë mbajtur peng veriun e Kosovës dhe kanë ushtruar terror sistematik mbi popullatën e kësaj pjese të vendit.
“Nuk pranojmë që të bëhet legjitimimi i bandave kriminale në veri dhe të legalizohen ato. Ato ose duhet të shkojnë në Serbi ose duhet të përballen me ligjin sikur çdo banor tjetër”, tha ai.
Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes dhe planit të zbatimit, ndërkohë që ende nuk është caktuar seanca kur do të shqyrtohet ky projektligj. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci beson se do të arrihet konsensusi për ratifikimin e marrëveshjes.
“Gjithsesi, duke pasur parasysh faktin që marrëveshja ka marrë 89 vota, nga të gjitha grupet parlamentare, përjashto një grupim të vogël, ne presim që edhe marrëveshja apo plani për implementimin e kësaj marrëveshje do të marrë mbështetjen e fuqishme nga të gjitha grupet parlamentare, të cilat mendojnë dhe gjykojnë drejt në përputhje me rrethanat, me realitetin dhe mbi të gjitha me interesat e qytetarëve të vendit tonë”, tha Grabovci për Radio Kosovën.
Marrëveshja dhe plani i zbatimit kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërkohë që LDK e AAK i kanë dhënë mbështetje. Sipas deputetit të LDK-së, Sadri Ferati dallimet do të dalin në pah më vonë.
“Në këtë fazë unë nuk parashoh se do të ketë dallime të mëdha me përjashtim të një subjekti, që nuk e pranon as Pakon e Ahtisarit, e as marrëveshjen. Por, PDK, LDK, AAK, AKR e të tjera, unë besoj se nuk do të kenë shumë dallime në këtë fazë”, tha ai.
Njohësit e të drejtës kushtetuese thonë se zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet sipas hapave logjikë, duke filluar me zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë, plotësimin e vendeve vakante në sistemin e drejtësisë dhe më pas mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga të cilat do të dalin institucionet legjitime nga komunat e veriut të Kosovës. /Indeksonline/