Komuna e PDK-ja përplasen për Unazat

(E plotësuar) Komuna e Prishtinës thekson se është pikërisht Qeveria e Republikës së Kosovës, ajo që jo vetëm që nuk e ka ndihmuar komunën në ndërtimin e unazave apo qarkoreve, por ajo ka qenë pengesë në realizimin e këtyre projekteve.
“Kujtojmë që është Qeveria e Kosovës ajo që ka ndaluar/penguar ndërtimin e unazës se brendshme, tek pjesa që kalon afër Hekurudhave të Kosovës. Është prapë Qeveria e Kosovës, që po e ngadalëson ndërtimin e projektit të rreth rrotullimit në fund të Veternikut, sepse ajo nuk po i kryejnë punët që i takojnë asaj, e për të cilat ajo është dakorduar përmes nënshkrimit të marrëveshjes”, tha për Indeksonline zëdhensi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj
Sa i përket ujit, Osaj tha se, Qeveria e din dhe qytetarët e din se me Ujësjellësin Rajonal Prishtina, menaxhon Qeveria e Kosovës e jo Komuna e Prishtinës, përkundër kësaj, sipas tij, Komuna e Prishtinës, ka ndarë 2 milionë euro, për ndërtimin e fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj.
Por, këtë fakt zyrtarët e PDK nuk e përmendin në deklarimin e tyre.
“Ky fakt dhe shumë fakte të tjera tregojnë se PDK ka filluar një fushat politik të pa sinqertë, manipulative në raport me Komunën e Prishtinës. Ata përmes kësaj fushate po tentojnë që punët që ata është dashur t’i përfundojnë ,sepse janë përgjegjësi ligjore e tyre, e të cilat kanë dështuar t’i bëjnë, t’ia atribuojnë pushtetit lokal, përkatësisht Komunës së Prishtinës”, tha Osaj
......................
Kabineti për qeverisje të mirë akuzon Prishtinën për degradim të kryeqytetit
Kabineti për qeverisje të mirë i PDK-së për Prishtinën, konsideron se Prishtina është në kulmin e degradimit urban.
Madje, sipas kabinetit të PDK-së, Prishtina që 13 vite nuk ka arritur që të mbulojë të gjitha lagjet me plane rregulluese.
PDK-ja konsideron që komuna e Prishtinës është vonuar shumë me miratimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe me atë Urban, ngase sipas tyre këto dy nivele të planifikimit janë kruciale për të përcaktuar synimet dhe kahjet e çarta, se si do te zhvillohet komuna e Prishtinës në të ardhmen.
“Në qoftë se komuna do të dispononte me këto dy dokumente, atëherë investitorët potencial dhe qytetarët do ta kishin të qartë zhvillimin e Prishtinës dhe nuk do të investonin nëpër lagje të cilat mbingarkohen me ndërtime pa kriter si: rrugë e trotuare të pamjaftueshme për komunikim, nuk kanë hapësira të lira e të gjelbruara dhe shpesh iu pengohet edhe ndriçimi, për shkak të distancave shumë të vogla në mes të ndërtesave”, tha Shemsi Veseli nga Kabineti për qeverisë të mirë. Sipas tij, Kabineti i PDK-së për Prishtinën ka planin urban. Ai tha se në të parashihet ruajtja e identitetit dhe rivitalzimi i Prishtinës.
“Shikone lagjen Qëndresa, aty zona historike është degraduar tërësisht. Madje, Prishtinës i mungojnë rreth 20 Plane rregulluese. Edhe ato ekzistueset që janë nuk janë të zbatueshme si duhet. Disa planet janë rregulluar nga klanet e ngushta”. tha Veseli.
Ky kabinet ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ka diskutuar lidhur me planifikimin zhvillimorë dhe urban të komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht, ka trajtuar disa nga projektet me prioritet të cilat PDK kërkon të implementohen sa më parë, në mënyrë që banorëve të Prishtinës t’iu ofrohen kushte më cilësore për jetesë.
“Ne sot konsiderojmë se me rëndësi e prioritet do të ishin veprimet që duhet të ndërrmirren, në fazat e ardhshme për krijimin e imazhit më të mirë të kryeqytetit dhe njëkohësisht, kushteve më të mira për jetë të qytetarëve, si: ndryshimi i imazhit dhe paraqitja e vlerave kulturore e historike të qytetit- Regjenerimi i zonave të degraduara apo rikonstruimi, revitalizimi, aty ku paraqitet nevoja gjithmonë ,duke marrë për bazë historinë e zonës, lagjes apo objektit të cilin duhet ta trajtojmë sipas kritereve arkitektonike, duke përdorur elementet e simboleve apo relikteve të trashigimisë historike e kulturore të objektit, përshtatjen e materializimit, ngjyrës, në raste të vecanta përdorimin e solucioneve të eko arkitekturës apo arkitekturës së gjelbërt ”, tha kryesuesja e kabinetit për urbanizem Laura Zhegra.
Mirëpo, intervenimet e tilla duhet, sipas saj, pa tjetër të diskutohen me qytetarët, me komunitetin e arkitekteve, ekspertëve të mjedisit, trashigimisë kulturore dhe fushave të tjera që trajtohen në planet urbane.
Zhegra tha se ndërtimi i Garazhave nëntokësore përmes partneritetit Publiko-Privat do të ishte një mundësi e mirë për lirimin e hapësirave të lira për këmbësorë. Andaj, PDK-ja mendon se prioritet kapital për qendrën e qytetit do të jenë patjetër ndërtimet e garazheve publike, lokacionet e të cilave janë të përcaktuara qysh me planet e më hershme dhe vetëm duhet vendosmëri nga organet e kompetente për të vepruar në hartimin e planit zbatues dhe implementimin e tyre.
"Ne mendojmë se një pengesë e madhe për disa nga banorët e lagjeve të Prishtinës me rrethinë është edhe mungesa e ujit për vite me radhë, e që fatkeqësisht vazhdon edhe në vitin 2013.Mirëpo, dëshirojmë që t’iu rikujtojmë qytetarëve të Prishtinës që me angazhimin e institucioneve qëndrore përkatësisht, Ministrisë së Financave, më në fund qytetarët e komunës së Prishtinës nuk do të ballafaqohen me restrikcione të ujit, për vitet në vijim, sepse me huan e marrë nga Banka Gjermane për Zhvillim KFË, donacioni I Komisionit Europian dhe buxhetin nga niveli qëndrorë, ka filluar ndërtimi I fabrikës së ujit në Shkabaj dhe që në vitin 2016 pritet të jetë në funksion, që do të jetë zgjidhje jo vetëm për Prishtinën por edhe për rajonin e Prishtinës", tha Zherga. /Indeksonline/