Aktet e pronësisë, 200 padi për të shfuqizuar vendimet e Hipotekës
Laureta Rryçi
Tiranë - Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 200 padi të cilat kanë si objekt shfuqizimin e vendimit të kryeregjistruesit. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan dje se këto padi janë regjistruar gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe po shqyrtohen nga gjyqtarët e dhomës civile. Bëhet fjalë për rastet kur qytetarët blejnë një apartament ose objekt dhe kur shkojnë për ta regjistruar kontratën e re në emrin e tyre iu dalin probleme. Burime nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shpjegojnë se shpeshherë ata që duan të kryejnë një regjistrim të kontratës së re dorëzojnë dosjen me mangësi në dokumentacion. Për këto arsye edhe kryeregjistruesi refuzon të hedhë firmën për ta quajtur kontratën e re të vlefshme. Në këtë moment qytetarët detyrohen t’i drejtohen gjykatës. Në këtë mënyrë ata kanë si alternativë të vetme të njihen si pronarë me vendim gjykate për objektin për të cilin pretendojnë.
Paditë
Paditë e depozituara ndodhen në faza të ndryshme. Ka prej tyre të cilat kanë marrë një vendim. Gjykata në varësi të rasteve herë është shprehur se e pranon pretendimet e qytetarit dhe herë i ka quajtur të vlefshme vendimet e kryeregjistruesit. Për ata që kanë marrë një vendim pozitiv nga gjykata kanë ndjekur procedurën e regjistrimit që bëhet në rastet kur ke një vendim të formës së prerë të gjykatës. Kësaj here qytetari në dosjen me dokumente që duhet të dorëzojë në Hipotekë, shton edhe vendimin e gjykatës që e detyron kryeregjistruesin të pranojë si të ligjshëm kontratën për të cilën bëhet fjalë. Në këtë mënyrë vetëm pas disa ditësh qytetari mund të paraqitet në Hipotekë sërish për të tërhequr aktin e pronësisë për pasurinë e paluajtshme.
Pezullimi
Kur një person propozon një marrëveshje për një pasuri të paluajtshme të regjistruar bën kërkesë te regjistruesi me pëlqimin me shkrim të pronarit për të pezulluar veprimet për transaksione të kësaj pasurie me persona të tjerë. Regjistrimi i çdo dokumenti lidhur me pasurinë e paluajtshme që përfshihet në këtë marrëveshje pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur paraqitet kërkesa dhe aprovohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë. Në rast se brenda afatit të pezullimit paraqitet për regjistrim një dokument i vlefshëm nga personi që kërkon pezullimin, ky dokument ka përparësi ndaj çdo dokumenti tjetër që mund të paraqitet për regjistrim gjatë këtij afati të pezullimit.
Pala ankuese brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit të këtij vendimi, udhëzimi, urdhri, përcaktimi ose akordimi nga kryeregjistruesi, mund të njoftojë regjistruesin me anë të një formulari të caktuar për synimin e tij për t’i bërë ankim gjykatës përkatëse kundër vendimit, udhëzimit, urdhrit, përcaktimit ose akordimit. Me marrjen e njoftimit të ankimit, regjistruesi përgatit dhe i dërgon gjykatës përkatëse, me një kopje të informacionit të kryeregjistruesit dhe të ankuesit dhe çdo personi tjetër që është në regjistër e që atij i duket se lidhet me ankimin, një raport të shkurtër në lidhje me çështjen në fjalë. Kur pala ankuese i kërkon regjistruesit t’ia kalojë çështjen gjykatës, kjo palë depoziton te regjistruesi shumën e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve.
Regjistrimi fillestar
Regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga kryeregjistruesi, kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar të dokumentohen duke përdorur kriteret e mëposhtme: pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme duhet të konsiderohen të përcaktuara nga dokumentet e pronësisë sipas Ligjit 7501, datë 19.7.1991, kontratat e privatizimit të bëra sipas Ligjit 7652, datë 23.12.1992, vendimet e komisioneve të rikthimit të pronave sipas Ligjit 7698, datë 15.4.1993, ligje apo dokumente të tjera zyrtare, të cilat njohin pronësinë private apo vendime gjykate; individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë që zotërojnë pronën në përputhje me legjislacionin dhe që nuk disponojnë dokumente pronësie sipas pikës janë të detyruar t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie. Kjo kërkesë duhet të përmbajë deklaratën personale të pronësisë të vërtetuar te noteri, një genplan të pasurisë, deklaratat noteriale të pronarëve fqinjë për vërtetimin e asaj që është thënë në kërkesë në lidhje me pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim.
Përcaktimi i kufijve në harta
Harta treguese e regjistrimit tregon kufijtë, sipërfaqen dhe pozicionin e përafërt të pasurisë së paluajtshme. Kur pjesëtarët në një mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e një apo disa kufijve arrijnë ta zgjidhin mosmarrëveshjen, regjistruesi bën korrigjimet në hartën treguese dhe në kartelat e duhura në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe arkivon marrëveshjen e firmosur nga palët pjesëmarrëse në konflikt. Kur lind ndonjë paqartësi ose mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e ndonjë kufiri dhe pjesëtarët në këtë konflikt nuk arrijnë marrëveshje lidhur me këtë, regjistruesi i udhëzon ato që ta paraqesin çështjen në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve dhe bën një shënim në kartelë. Në qoftë se brenda këtij afati çështja nuk është dërguar në gjykatë, atëherë regjistruesi bën shënimin përkatës. Çdo pronar i një pasurie të paluajtshme është i detyruar të mbajë në gjendje të mirë çdo shenjë që ndan kufijtë e tij. Regjistruesi vendos për përcaktimin e vijave ndarëse të qëndrueshme të çdo kufiri brenda një kohe të caktuar dhe sipas mënyrës që mund të udhëzojë ai. Regjistruesi vendos se cili prej pronarëve fqinjë ka përgjegjësinë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e çdo shenje që ndan një kufi të zakonshëm dhe ai që urdhërohet për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Brenda 30 ditëve, pronarët kanë të drejtë të ankohen në organet gjyqësore kundër urdhrit të regjistruesit. Nëse nuk ushtrohet kjo e drejtë brenda këtij afati, urdhri prezumohet i pranuar.
Regjistrim vendimi gjykate për fitim pronësie
Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/ vonese: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati max. i procedurës: 30 ditë pune
LISTA E PLOTË E DOKUMENTEVE QË NEVOJITEN PËR VEPRIME NË ZVRPP
Kodi Emri i dokumentit Institucioni lëshues
GJ1 Vendim gjykate ose marrëveshje noteriale për krijim servituti Gjykata
GJ2 Vendim gjykate ose marrëveshje për heqje servituti Gjykata
GJ3 Vendim gjykate për caktimin e kujdestarit të miturve anëtarë të familjes bujqësore Gjykata
GJ4 Vendim gjykate për fshirje Gjykata
GJ5 Vendim gjykate për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ6 Vendim gjyqësor ose akt noterial për vendosjen e hipotekimit Gjykata
GJ7 Vendim gjyqësor për kalimin e pronës së paluajtshme në pronësi të fituesit të ankandit Gjykata
GJ8 Vendim gjyqësor përfundimtar i formës së prerë Gjykata
GJ9 Vendim gjyqësor të shkallës së parë ose vërtetim me shkrim nga organi që ka bërë gabimin në dokumentin përkatës Gjykata
GJ10 Vendim i Gjykatës për regjistrimin e personit juridik Gjykata
GJ11 Vendimi i këshillit të komunës Gjykata
GJ12 Vendimi gjyqësor për vënie sekuestro ose i ndërmjetëm Gjykata
GJ13 Vendim gjyqësor për heqje dore nga trashëgimia Gjykata
GJ14 Vendim gjyqësor për ndërrim emri Gjykata
GJ15 Vendim gjyqësor për çelje trashëgimie Gjykata
31 Korrik 2009