Mungesa e parave, qeveria u pret fondet SHISH-it, Prokurorisë dhe nëntë ministrive
Ervin KOÇI
Qeveria ka vendosur që të mbyllë “rubinetin” e fondeve për pjesën e dytë të vitit 2009 për disa institucione të pavarura kushtetuese si dhe për ministritë kryesore të saj. Vendimi i marrë nga kryeministri Berisha ditët e fundit u bllokon fondet për shpenzime operative jo vetëm ministrive por edhe Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Këto dy të fundit vetëm pak kohë më parë i kishin bërë kërkesë për shtim fondesh qeverisë në buxhetet e tyre, por duket se shtesat që do të jenë simbolike do të miratohen vetëm për projektbuxhetin e vitit 2010. Prerja e fondeve për fazën e dytë të vitit, me justifikimin se të gjitha këto institucione i kanë shpërdoruar paratë gjatë gjysmës së parë, prek më tepër aktivitetin e institucioneve të pavarura kushtetuese, sesa të ministrive. Ky bllokim fondesh është bërë në kuadër të rishikimit të realizimit të buxhetit të vitit 2009, ku është aplikuar një reduktim i tavaneve të shpenzimeve kapitale të brendshme, për disa prej institucioneve buxhetore. Konfirmimin zyrtar e bën Ministria e Financave, e cila rendit në këtë “dietë” 9 ministri, SHISH-in, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucionin e Gjyqësorit, të cilat për këtë vit u duhet të mbahen me thurime. Ministria u bën thirrje këtyre institucioneve, që pavarësisht reduktimit të fondeve, të mos dalin nga linja e prioritetit që kanë vendosur më parë. "Theksojmë se reduktimet e tavaneve të shpenzimeve kapitale nuk duhet të ndikojnë në përmbushjen e projekteve prioritare të investimeve, të përcaktuara si në programin buxhetor afatmesëm 2010-2012 ashtu edhe në kërkesat për fonde shtesë",- sqaron në udhëzimin e saj Ministria e Financave e cila është dhe vet pjesë e 9 ministrive në “dietë”. Mes tyre nuk mungojnë Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Arsimit, si edhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat mbulojnë sektorët kryesorë të vendit dhe ku është e nevojshme të investohet më tepër. Digasteret që i kanë "shpëtuar" krizës Ministria e Drejtësisë, Mjedisi, Integrimi, Turizmi dhe Ministria e Jashtme.
Dieta
Dieta në qeveri dhe në institucionet e tjera kushtetuese ka nisur në një kohë kur disa prej tyre, konkretisht SHISH-i dhe Prokuroria, i kishin kërkuar qeverisë dhe Financave që të shtonin fondet e tyre për pjesën e dytë të vitit. Por Ministria e Financave është mjaftuar vetëm me shqyrtimin e kërkesave për fonde shtesë nga këto institucione, por shtesën reale ajo e ka programuar vetëm për buxhetin e vitit që vjen. Bëhet fjalë për projektbuxhetin e vitit 2010, i cili po hartohet në bazë të Programit Buxhetor Afatmesëm për vitet 2010-2012. Mes disa kërkesave, të cilat janë për paga dhe investime, ministria ka trajtuar nevojat për fonde shtesë të SHISH-it dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Burime nga Financat qartësojnë se “kërkesat e këtyre institucioneve janë marrë në konsideratë nisur nga fakti se është shoqëruar me motive konkrete, por edhe ndaj synimit të qeverisë për të forcuar luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe terrorizmit”. Konkretisht, SHISH-i kërkon që në buxhetin për vitin 2010 të ketë shtesë, përveç programit të miratuar dy muaj më parë, 220 mijë dollarë, të nevojshme për kryerje investimesh. Ndërsa Prokurorisë së Përgjithshme i duhen plus dhe 1.2 milionë dollarë. Bashkë me to kanë kërkuar fonde shtesë edhe institucione të tjera, ku vlera në total e tyre është rreth 100 milionë dollarë.
Shërbimi Sekret
Nisur nga nevoja për të rritur kapacitet në punë, Shërbimi Informativ Shtetëror ka paraqitur pranë Ministrisë së Financave kërkesën për financimin e një projekti me vlerë rreth 220 mijë dollarë. Nga burime nga Ministria e Financave mësohet se, “projekti i SHISH-it synon në vetvete rinovimin e sistemit të interceptimit (veprimi i kapjes/identifikimi)”. Burimet shtojnë më tej se, Ministria e Financave e ka pranuar kërkesën, ndërsa së shpejti do të miratojë të gjithë buxhetin për institucionin kryesor të sigurisë dhe inteligjencës në vend. Sipas Financave mësohet se, “buxheti për SHISH-in referuar synimeve për vitin 2010, parashikohet të jetë të paktën 13 milionë dollarë. Në këtë buxhet, prioritet mbeten pagat dhe shpërblimet, kurse investimet janë shumë modeste, me rreth 500 mijë dollarë”.
Organi i akuzës
Institucioni i drejtuar nga Ina Rama, ka kërkuar nga qeveria për vitin 2010 rreth 1.2 milionë dollarë, si fonde shtesë për investime të ndryshme. Motivi lidhet me nevojën që ka Prokuroria për të ndërtuar dhe kryer rikonstruksione për të paktën 6 godina, me vlerë totale investimi rreth 1.6 milionë dollarë. Një tjetër motiv që e shtyn organin e akuzës të kërkojë para shtesë lidhet me faktin e strehimit të 25 prokurorëve, të cilët e ushtrojnë profesionin larg vendbanimit të tyre. Ky numër është më i lartë nga sa e kishte paraqitur një vit më parë prokuroria. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, “buxheti për këtë institucion në vitin 2010 parashikohet të jetë rreth 15 milionë dollarë, ku 1.8 milionë do të shkojnë për investime dhe 150 mijë dollarë për blerje autoveturash të reja”.
Kursimet, qeveria kërkon të nxjerrë “dhjam nga pleshti”
Plani i qeverisë për vitin 2009 është krijimi i shtesave në buxhet, duke ndaluar investimet pas datës 3 gusht. Më herët, Kryeministri Sali Berisha, i ka udhëzuar të gjitha institucionet që të kursejnë 10 për qind nga fondi për shpenzimet korrente, kurse më tutje vendosi të mos lejojë zhvillimin e tenderëve pas muajit gusht. Shkak është bërë mungesa e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e krizës ekonomike por edhe e shpenzimeve marramendëse që qeveria realizoi në pjesën e parë të vitit për investimet në infrastrukturë deri në fushatën elektorale. Por edhe pse kursimet janë propozuar prej kryeministrit Berisha, argumentet e mëpasshme të dhëna nga Ministria e Financave nuk janë pranuar nga vet Kryeministri, i cili pretendon se i ka të mjaftueshme paratë. Nga krahasimi i tabelave, të paktën Ministrisë së Punëve Publike, e cila ka pjesën më të madhe të investimeve, për vitin 2010 do t‘i mungojnë rreth 7 miliardë lekë. Por kursimet e qeverisë në këtë fazë, ku mungesa e likuiditetit është mjaftë e madhe, duket se janë vetëm një mënyrë për të justifikuar shpenzimet e mëdha të bëra deri në fushatën elektorale.
31 Korrik 2009