E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Akti normativ, Peleshi: Rimbursojmë 9 mijë tatimpagues të profesioneve të lira

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh sot se, mazhoranca respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për profesionet e lira.

Duke marrë fjalën në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë diskutimit të Aktit normativ “Për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”, Peleshi shpjegoi se kemi të bëjmë me respektimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“Pavarësisht se si e vlerësojmë, ne e zbatojmë, sepse kjo është qasja jonë. Pavarësisht se ky vendim duket një mbivendosje me pushtetin, të drejtën dhe autoritetin që ka qeveria me institucionet e veta të hartojë politikat fiskale, që nuk është një çështje e gjykatave, por e qeverisë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se, përmes këtij Akti Normativ rimbursohen 9 mijë tatimpagues të profesioneve të lira, cilët kishin parapaguar.

“Profesionistët e lirë, kanë paguar si të gjithë tatimpaguesit e tjerë dhe nuk ka ndonjë skenar të posaçëm këtu për këtë kategori, pasi është normë që të gjithë subjektet parapaguajnë një tatim të biznesit në fillim të vitit dhe më pas ose iu shtohet, ose iu hiqet kosto, në varësi të bilanceve që mbyllin”, u shpreh Peleshi.

Për rreth 25 mijë tatimpagues të tjerë, të cilëve u ishte gjeneruar në mënyrë automatike taksa, ato do të fshihen, në zbatim të këtij vendimi të GJK.

Peleshi vuri në dukje se, qeveria nuk ka bërë ndonjë faj që u rikuperua nga GJK.

“Ne nuk jemi mazhoranca që rëndon biznesin. Ne jemi mazhoranca që në 2021 ka bërë zero taksën për biznesin e vogël, ku përfshihen 125 mijë biznese të vogla që paguajnë zero taksa. Dhe sa i takon profesioneve të lira, ishte një përpjekje për të shmangur çdo lloj hapësire që krijoi zerimi i taksës së biznesit të vogël, për disa të vetëpunësuar që për të paguar zero taksa, nga të punësuar kaluan në subjekte. Qeveria ka në prioritet vendosjen e një regjimi të disiplinuar fiskal. Qeveria ka trefishuar buxhetin dhe ka në fokus rritjen e pensioneve dhe luftën kundër informalitetit”, tha Peleshi.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›