Akti normativ, banesat e ish-pronarëve të lira në 1 nëntor
Qytetarët banues të tyre përfitojnë kredi me interes zero
Qytetarët, që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve do të kenë mundësi të marrin kredi me interes zero për 30 vjet, për të blerë një banesë tjetër dhe për të liruar këto objekte. Sipas aktit normativ të qeverisë, i cili u miratua në fillim të këtij muaji, këta qytetarë duhet të plotësojnë dokumentacionin për të përfituar kredinë deri më 1 nëntor.
Enti Kombëtar i Banesave është duke hartuar një listë të pastër, me numrin real të atyre personave, që duhet të përfitojë kredi. Drejtori i këtij enti, Ylli Pirro thotë se në listën prej 4400 familje janë të përfshirë edhe persona, që kanë mundësi të tjera siç mund të jetë një biznes apo një pronë tjetër. Pas verifikimit këta të fundit nuk mund të marrin statusin e personit të pastrehë dhe si rrjedhojë nuk mund të përfitojnë kredi.
Sipas zotit Pirro, në rast se banorët nuk largohen nga në datën 1 nëntor, do të merren masa konform ligjit, me qëllim që banesat t’u kthehen pronarëve legjitim.
Enti kombëtar i banesave është duke punuar intensivisht aktualisht , me qëllim që të verifikojë në Tatime, tek ALUIZNI apo tek Tatimet, në rast se personat në listë kanë apo jo mundësi të tjera për t’u strehuar.