PDIU dënon deklaratat e neonazistit grek: Tu vihet fre thirrjeve që cenojnë integritetin e Shqipërisë
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek e shqetësuar rritjen e shovinizmit grek të përfaqësuar tashmë në nivelet më të larta të shtetit fqinj e njëkohësisht apatinë e autoriteteve shqiptare për t’i vënë fre thirrjeve që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Në një reagim për mediat, PDIU thotë se deklarata e deputetit neonazist grek, Kristo Papa, se Himara është tokë greke e shumë shpejt do të bashkohet me Greqinë, duhet të gjejë një reagim të fortë të shtetit shqiptar. “Kristo Papa e kushdo tjetër që cenon parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke bërë thirrje kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë duhet të shpallen menjëherë persona non grata. Këto deklarata shoviniste që kryhen brenda territorit shqiptar tregojnë edhe një herë se Greqia nuk përqafon vlerat evropiane, të cilat mëton të “përhapë në rajon”. Nga ana tjetër, është e pafalshme që Policia e Shtetit dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit nuk kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme, duke e ndaluar këtë provokator dhe duke e dëbuar nga Shqipëria. PDIU proteston fuqishëm ndaj këtyre deklaratave të pavenda dhe i bën thirrje shtetit grek që të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të cilat tashmë deklarohen nga anëtarë të parlamentit grek”- thuhet në reagimin e PDIU.
Kjo forcë politike i kujton Athinës se duhet të angazhohet në zgjidhjen e çështjes çame dhe të kërkojë ndjesë për krimet e kryera. “Greqia duhet të angazhohet seriozisht që të zgjidhë çështjen çame duke kërkuar ndjesë për krimet e kryera dhe duke kompensuar pronarët legjitim shqiptarë. Në vend të kësaj ne shohim nxitjen e oreksit ndaj territoreve shqiptare. Historia e Evropës na ka mësuar se edhe shtetet më të zhvilluara kur ballafaqojnë kriza të mëdha ekonomike kërkojnë shpëtim tek eksternalizimi i përgjegjësive si dhe te ksenofobia, autoritarizmi dhe shovinizmi. Ne shpresojmë që Greqia të ketë nxjerrë mësim nga historia e saj e mbushur me diktatura pas krizave ekonomike, duke hequr dorë nga këto mëtime të pakuptimta për shekullin XXI”- thuhet më tej në reagimin e PDIU.