E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aktivitete në shkolla për Festat e Nëntorit, ekspozohen punimet me motive popullore

Në të gjitha shkollat e vendit, prej disa ditësh, po ndihet atmosfera e përgatitjeve në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe asaj të Çlirimit.

Shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” ka ekspozuar këtë të mërkurë (26 nëntor) punimet e nxënësve të krijuara me motivet e festave.

Përmes programit “Art & Zeje”, ata kanë shprehur talentet e tyre nëpërmjet pikturës, vizatimeve dhe punimeve me dorë, ndërsa nuk ka munguar edhe një program i pasur me këngë e valle patriotike.

“Fëmijët kanë mundësi të shpalosin talentet e tyre, të risjellin tradita dhe kulturën shqiptare. Të na rikujtojnë se kemi një larmishmëri kulture që duhet mbajtur gjallë ndër brezat e rinj, të cilët janë e ardhmja jonë”, tha koordinatorja  e shkollës Olta Barbullushi.

“Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i vlerave qytetare, kombëtare, etnografike, atdhedashurisë, humanizmit dhe të tjerave. Pikërisht që shkolla të mos jetë thjesht një vend ku studiohet, por edhe aty ku krijohen miqësi të reja dhe promovohen këto vlera”, tha Mësuesja e aktiviteteve Valbona Cullhaj..

Jo në pak raste, në realizimin e punimeve, por edhe në dhënien e ideve, kanë kontribuar edhe prindërit dhe gjyshërit.

“Është kënaqësi që edhe në këtë moshë të kontribuojmë, të japim çfarë është e duhur për këtë brez të ri. Ky brez ka nevojë për dashuri, mirëkuptim dhe pastaj për formim”, tha ish-mësuesja Vasilika Rusi.

“Ndjehem shumë e lumtur që punimet e mia i promovon shkolla”, tha një nxënëse e kësaj shkolle.

Këtë javë, më 28 Nëntor, festohet 113-vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe më 29 Nëntor, 81-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›