Përkujtimi i 26 nëntorit në Durrës – Ceremoni solemne për ngritjen e flamurit historik

Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912.
Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Në fjalën e saj Kryebashkiakja Sako deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit.
“Para 113 vitesh kryetari i Bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin shqiptar në 26 nëntor të 1912. Ky akt solemn përfaqëson kujtesën e vlerave më të çmuara kombëtare dhe sakrificat e panumërta që janë bërë për këtë vend”, u shpreh Sako.
Në aktivitet morën pjesë autoritete vendore, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe veteranë.
/rtsh.al/