Reshjet e shiut sjellin dëme tek ulliri, agronomi: Ndikon drejtpërdrejt në sasinë e vajit të përftuar

Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në prodhimin e ullirit, i cili ndodhej në fazën e vjeljes.
Agronomi Elvis Tosuni bën të ditur se dëmi më i madh është te ullinjtë që përdoren për prodhimin e vajit, pasi lagështia e lartë dhe rënia e frutit përpara kohe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e vajit të përftuar.
“Ka pasur shumë përmbytje dhe një nga bimët që mund të rrezikohet është ajo e ullirit, pasi një pjesë e tyre nuk është mbledhur ende. Prodhimi mund të bjerë nga shirat e tepërt dhe nga sasia e ujit që ka thithur bima”, tha Tosuni.
Sipas tij, është i domosdoshëm drenazhimi i tokës për të shmangur grumbullimin e ujit.
“Ne u bëjmë thirrje fermerëve për drenazhimin e tokave, si edhe për pastrimin e kanaleve kulluese që duhet të jenë funksionale”, nënvizoi ai.
Ndërkaq, disa parcela në qarkun e Gjirokastrës janë prekur nga dëmtimet mekanike të shkaktuara nga era dhe reshjet e dendura, duke rritur edhe më tej humbjet për fermerët.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/