E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktori Birce Hasko feston 70 vjetorin e lindjes

Mjeshtri i karaktereve, i nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, aktori Birçe Hasko ka festuar 70-vjetorin e lindjes, ndërsa tregon se jeta artistike i ka dhuruar shumë momente të veçanta. Aktori kujton kohën e fillimeve të karrierës, tregon se gjithmonë është udhëhequr nga dashuria për profesionin, për të cilin ka punuar shumë. Në rrëfimin e tij, aktori zbulon dhe pengun e jetës artistike, një rol të cilin do të donte ta luante dhe sot është ai i një lypësi, ndërsa kolegët kanë shprehur vlerësime për artistin e karaktereve.
Me këtë rast u promovua edhe albumi me krijimtarinë e tij, botim i AQSHF-së, si dhe u shfaq një kolazh me disa nga rolet e tij më të spikatura në kinematografi. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”. Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i profesorit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985, si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin "Kronikë Provinciale" në vitin 2009. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›