E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktori i komedisë në “rolin”dramatik të jetës

SHKRUAN: Aida Tuci 28-09-2011 12:12

Sikur ky të ishte “roli” i parë dramatik i jetës së tij, me siguri të gjithë do e kishim duartrokitur, por në fakt nuk është aspak i tillë. Vasillaq Vangjeli iku një mbrëmje vonë, i shtirë aty në një nga dhomat modeste të Spitalit Ushtarak. Ishte hera e parë që njerëzit rreth tij nuk qeshnin dot. “Vasillaq Vangjeli është një aktor i kthyer në idhull të batutës dhe humorit. Nëse publiku e identifikon me Koçin te “Zonja nga qyteti”; artistët, miqtë e tij e shohin përtej kinemasë, në skenën ku ai ka kontribuar me qindra role në Teatrin e Varietesë së Tiranës, në Teatrin Kombëtar, në një karrierë të shkëlqyer skenike prej 45-vjetësh.”- kështu e kujton regjisori Kiço Londo aktorin shumëdimensional, që vendosi një gur më tej në radhën e personaliteteve të rëndësishme të artit skenik shqiptar. Dje në teatrin Metropol u mbajtën homazhe për nder të aktorit të njohur të komedisë, Vasillaq Vangjeli, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 63-vjeçare. Ishin të pranishëm personalitete të shumta të fushës së kinematografisë, muzikës, personalitete të politikës, si presidenti Bamir Topi, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Vasillaq Vangjeli ka punuar në estradën e shtetit si aktor nga viti 1976 dhe deri në viti 2005. “Fizarmonika e tij do të qajë, sepse nuk do ta ketë më zërin e tij. Ishim njëherë në turne në Berat, ishte natë vonë, kur dëgjojmë një zë të bukur kumbues e një melodi të këndshme në fizarmonikë, buzë lumit Osum. Vasillaqi,- thashë me vete. O Zot, kjo është mrekullia vetë!...Ai shndriste kudo, në talentin me bollëk plot humor e dhunti të jashtëzakonshme. Shndriste në familje në jetën e përditshme mes shokësh e miqsh me humorin e tij herë me kripë e herë pa kripë. Ishte mjeshtër në profesion, sepse humori u ngjit e u bë pjesë e tij. Do mbetet ai njeriu që ishte në pritje për të krijuar e vetëm për të krijuar. Për të bërë humor e vetëm humor.” – e kujton kolegu i tij Sulejman Dibra. Ai ka interpretuar me dhjetëra role në komedi, telekomedi dhe filma artistikë. “Vaso krijonte figurën e shkëlqyer të çdo karakteri, duke hyrë thellë në lëkurën e personazhit. Falë regjistrit vokal, mund të shkonte pa më të voglin problem në të dyja skajet e mundshme. Ai ishte aktori brilant i britmës, ashtu si mund të ishte edhe aktori brilant i pëshpëritjes. Jam i nderuar që kam mundur ta kem pjesë të stafit në shfaqjet e komedisë “Lezeti i kolltukut dhe krevatit”, “Një burrë me dy gra” dhe “Gjashtë vjet shtatzënë”. I saktë dhe profesionist me një talent të lindur në artin e aktrimit, po aq sa edhe me humor në kapërcimin e çdo të papriture skenike.” - shton regjisori Kiço Londo. Por Vasillaq Vangjeli iku me një peng me vete. Në intervistën e tij të fundit ai na e la pengun ne të gjallëve: do kishte dashur të kishte luajtur në teatrin dramatik. “Pse nuk ka luajtur në dramë, por vetëm në komedi?”… “Shumë e thjeshtë, - përgjigjet regjisori Kiço Londo - nuk ka pasur ofertë dinjitoze për talentin e tij. Historia kulturore është e mbushur me raste të aktorëve të pazbuluar në të gjithë dimensionin e tyre artistik. Vaso është njëri prej tyre. Vasillaq Vangjeli mbetet një aktor i shkëlqyer i dramës, por që nuk arriti ta tregonte fuqinë e tij dramatike.” Një mesazh ngushëllimi për humbjen e aktorit i ka dërguar familjes kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. “Vasillaqi, me talentin e tij, u shndërrua në një nga aktorët më të dashur të komedisë për shqiptarët, i cili u dha buzëqeshjen edhe në kohëra të vështira për ta”, vlerësoi ndër të tjera Kryeministri. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Toppali, e cilësoi atë si “aktori me shpirt të lirë, që mbetet nga të parët që çmitizoi me humor e ironi therëse diktatorin Hoxha, ashtu siç do të mbeten në kujtesën e të gjithëve me dhjetëra rolet që ai interpretoi për vite të tëra”.

Role në Kinostudio:

1. “Pylli i lirisë”

2. “Zonja nga qyteti”

3. “Tokë e përgjakur”

4. “Lulëkuqet mbi mure”

5. “Yje mbi Drin”

6. “Ëndërr për një karrige”

7. “Shoku ynë Tili”

8. “Dasma e shtyrë”

9. “Kur ndahesh nga shokët”

10. “Ata vinin nga lufta”

11. “Rrethimi i vogël”

Në Teatrin Kombëtar

1. “Lezja”

2. “Zonja nga qyteti”

3. “Nata e dymbëdhjetë”

4. “Tri ditët e kiametit”

5. “Harvey”

6. Plot role të tjera episodike

Në Televizion

1. Në të gjitha koncertet e Vitit të Ri (1975-2008)

2. Të shtunat gazmore në vite

3. Komedia “Tre dhëndurët”

4. Komedia muzikore “Mirela”

5. Komedia “Divorci”

6. “Një burrë me dy gra”

7. “Gjashtë vjet shtatzënë”

8. “Lezeti i kolltukut dhe krevatit”

9. “Gjuetia e fundit”

10. “Të gjallë, apo të vdekur”

11. “Çanta e zezë”

12. “Përralla e trimit”

13. “Revolveri”

14. “Ushtar Bilushi”

15. “Të na rrojë komshiu”

16. “Një nuse nga jashtë”

17. “Pavijoni zero”

18. “Sherrxhinjtë”

19. “Një zonjë nga New Yorku”

20. Hit me parodi dhe kuplete

21. “Dashi pa brirë”

22. “Piruet”- 5 seri

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›