E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi i librit mes biznesit dhe kulturës

Shoqëria e Librit Shqip, me kryetar Ardian Klosin, në një konferencë për shtyp ka akuzuar dje kryetarin e Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymerin, se po organizon një panair që nuk përfaqëson kulturën e librit por tërësisht biznesin e librit

Panairi më i madh i librit në më pak se dy muaj para startit të tij ka hapur debate mes botuesve, të ndarë në dy “kampe”, ku nga njëra anë qëndron Shoqëria e Librit Shqip e nga ana tjetër Shoqata e Botuesve. Shoqëria e Librit Shqip, me kryetar Ardian Klosin në një konferencë për shtyp ka akuzuar dje kryetarin e Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymerin, se po organizon një panair që nuk përfaqëson kulturën e librit, por tërësisht biznesin e librit. Klosi ishte shumë i drejtpërdrejtë në akuzat e tij, ku shprehet se është rritur pa asnjë shpjegim çmimi stendave dhe janë favorizuar në këtë panair shtëpitë botuese të librit shkollor dhe jo atij artistik. “Kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri, në mënyrë të njëanshme ka rritur çmimet e stendave, për mbajtjen e panairit të librit. Në këtë gjendje, rezultati është një panair që nuk përfaqëson kryesisht kulturën e librit, por tërësisht biznesin e librit. Në këto kushte, botuesit shqiptarë kërkojnë solidaritet mes tyre dhe mbështetje nga institucionet, qofshin ato shtetërore apo private. Parimi: ngre stendën më të madhe, kush ka paranë më të madhe, është vrastare për librin”- tha kryetari i Shoqërisë së Librit Shqip, Ardian Klosi. Në të njëjtën linjë ishin edhe përfaqësueset e shtëpisë botuese “Dudaj” dhe “Toena”, përkatësisht Arlinda Dudaj dhe Irena Toçi. “Për ne është shumë e rëndësishme marrja pjesë në këtë panair, por këtu bëhet fjalë për goditje të ulëta dhe aspak etike që bëjnë ndaj konkurrentëve”- tha Arlinda Dudaj. Sipas tyre, në mënyrë abuzive kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ka rritur çmimin e stendave, ku për metër katror një shtëpi botuese që kërkon të prezantojë librat e saj duhet të paguajë 70 euro. Prandaj anëtarët e shoqërisë së librit shqip kërkojnë solidaritet mes shtëpive botuese dhe nga institucionet shtetërore, që në këtë rast është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që të thonë zërin e tyre për këtë problem që ata ngrenë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i cili ka qenë në qendër të akuzave, e sheh gjithçka si sulm tendecioz ndaj këtij panairi, që ka nisur me kohë nga pala tjetër e grupuar në Shoqërinë e Librit Shqip. I kontaktuar nga MAPO, Ymeri shprehet se nuk mund të ngresh akuza mbi të pavërteta. “Ka filluar një fushatë agresive, e pa sens, karshi panairit dhe Shoqatës së Botuesve. Që kur krijuan Shoqërinë e Librit, ata e nisën me sulm të pakuptimtë. Ndoshta ata nuk e gjenin veten te ne, ashtu siç e donin ata. Kur ne një grup i vogël krijuam shoqatën e botuesve, shumë vite më parë, e krijuam si një organizatë që do të ishte jo vetëm në funksion dhe në mbrojtje të drejtave të botuesve, por dhe organizatore e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilën e kemi bërë shumë mirë. Një nga këto arritje ka qenë dhe organizimi i Panairit të Librit qysh nga viti 1998. Panairi është i hapur për të gjithë, kush dëshiron merr pjesë, kush nuk dëshiron nuk merr pjesë. Ne i kemi lajmëruar që më 4 korrik të gjithë botuesit që janë në tregun e librit, që nga shtëpi botuese, shoqata, universitete, institucione etj. Kemi njoftuar madje edhe përmes gazetave për gjithçka që ka të bëjë Panairin. Madje, Shoqëria e Librit Shqip është lajmëruar në mënyrë të veçantë.”- përgjigjet pala tjetër, e cila pranon faktin se çmimi për metër katror i stendave është rritur nga ai i një viti më parë, por shton se nuk është hera e parë që aplikohet ky çmim. “Nuk është hera e parë që operojmë me këtë çmim. Për herë të parë ka qenë më 2009-ën. Një vit më parë çmimi për metër katror ishte 70 mijë lekë, ndërsa këtë vit e kemi bërë 70 euro. Dhe ka një logjikë të thjeshtë në gjithë këtë: Së pari, gjysmën e pagesave për Panairin ne i bëjmë në euro. Së dyti, shumë nga këto kompani që ne bashkëpunojmë, që nga shtypshkronjat, sektori i grafikës ku bëjmë posterat etj. dhe ngaqë punojnë me material importi të gjitha i kanë rritur çmimet, sepse ka ndryshuar kursi, shtoi kësaj dhe faturën e qirasë prej 80 milionë lekësh që ne paguajmë këto dy vjet”- arsyeton ndryshimet në faturat e panairit kryetari Petrit Ymeri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›