E Diel, 1 Nëntor 2026

Një libër si histori për veten dhe anti-intelektualizmin

Suadela Balliu

Në hollin e Universitetit Europian të Tiranë, dje, një pjesë e Tiranës politike, kulturore, mediatike e akademike është mbledhur për t’u identifikuar me një të ngjashëm edhe pse ai bën çmos të identifikohet si më vete. Autori i kësaj mëvetësie i ka mbledhur dje të ngjashmit e vet të ndryshëm me anë të një libri autobiografik, të cilin ai vetë ka parapëlqyer ta shohë si ‘kujtime dhe refleksione’. E ka titulluar:“Përkulja dhe rënia e tiranisë 1957-2010”. I ndarë në dy nënlibra, pjesë e një vëllimi që do të pasohet së shpejti nga një i dytë kjo ‘terre litteraire’ historike është kontributi më i ri i Spartak Ngjelës, sa në komunikimin publik e sa në debatin politiko-historik në veçanti. Të pranishëm në ‘gëzimin’ e Ngjelës kanë qenë dje gazetarë e moderatorë, akademikë e diplomatë, shkrimtarë e politikanë. Fjalën e kanë marrë vetëm dy: themeluesi i UET-it, Henri Çili, dhe vetë autori. Të dy, shkurtimisht, i kanë bërë një lexim të dytë një libri që e pa dje dritën e botimit. Më tej është vazhduar me rutinën e promovimeve: janë tokur gota, shkëmbyer buzëqeshje e fjalë të ëmbla. Për të mos harruar dashamirësit e Ngjelës dhe të librit, që i kanë kërkuar autorit kopje me kushtime.

Ceremonia përtej atmosferës

“Historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet”, kështu e nisi avokati Spartak Ngjela fjalën e mbajtur dje në promovimin e librit “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”, në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, ndërsa u drejtohej të pranishmëve. I bindur se historia shqiptare kishte një segment bosh, Spartak Ngjela ishte i pari që hodhi idetë e tij në përpjekje për ta mbushur këtë boshllëk të historisë, duke i bashkëngjitur fakteve historike edhe kujtimet e tij, mendimet dhe këndvështrimet e tij për kohën, ngjarjet, datat, njerëzit, pushtetarët, viktimat e kohës. Në librin e tij rrëfehet për “komunistë, ballistë, legalistë, sigurimsa, spiunë burgjesh e trotuaresh, të pushkatuar, mendimtarë, njerëz të shquar që nuk u dihet emri sepse kanë vdekur në izolim, jetë njerëzore të shuara për të vetmin faj se nuk kanë dashur regjimin komunist në Shqipëri. Pastaj ministra, gjeneralë e politikanë të lartë të regjimit komunist, që kishin luftuar dhe kishin instaluar diktaturën më të egër në botë, e mandej, po ata vetë, viktima nëpër burgje, teksa në më të shumtën e herëve as që e kuptonin dot se çfarë u kishte ndodhur, por që në pjesën dërrmuese të tyre ishin ende komunistë, kishin ende mendimin se lufta e klasave, domethënë terrori i ushtruar në Shqipëri, ishte pjesë pozitive e historisë sonë. Ky vëllim i parë, që mban brenda vetes dy libra, i botuar nga shtëpia botuese “UET Press”, rrëfen kujtimet e përjetuara nga vetë Ngjela dhe analizën që ai i bën një periudhe prej 30 vjetësh, nga 1953-1975. Kujtimet, ashtu siç shprehet vetë në faqet e librit, kalojnë shtigjet që kanë përjetuar shqiptarët mbushur me propagandë, terror e varfëri. Në faqet e këtij vëllimi të parë gjendet rrëfimi mbi arrestimin e të atit, biseda e fundme atë e bir, kujtimet e fëmijërisë së hershme, deri te ngjarjet si vdekja e Stalinit, shkëputja e madhe, afrimi me Kinën, Revolucioni kulturor në Pekin e Tiranë, revolucioni kinez në Shqipëri, dalja nga Traktati i Varshavës etj. E gjithë kjo histori, që nis në vitin 1953 dhe mbaron në vitin 2010, është parë si tirani e si kohë tiranike nga Spartak Ngjela. Ndërsa vëllimi i dytë që pritet të dalë -i cili përmban edhe ai dy libra- e nis rrëfimin më 1976-ën dhe përfundon në vitin 2010. Nga burgu politik shqiptar, në vitin 1991, kur sistemi rrëzohet. Por pa anashkaluar edhe trajtimin e periudhës së mëpasme deri në vitin 2010, të cilën Ngjela e sheh si vijim të tatëpjetës së tiranisë shqiptare të pasLuftës së Dytë Botërore.

Box

Henri Çili

Shndërruesi i refleksioneve në aksion politik

Ngjela është i mirënjohur në të dyja epokat. Është i njohur për publikun, politikën, për mediat, për studentatin dhe jo më kot një shtëpi botuese universitare bëhet botuesi i këtyre refleksioneve politike të Ngjelës, të cilat kanë një rëndësi të dyfishtë, për specifikën e personazhit të Ngjelës. Aksioni i tij politik ka qenë një refleksion dhe refleksioni i tij personal është shndërruar vazhdimisht në aksion politik ose publik. Kjo për një periudhë të pandërprerë, të paktën që nga vitet ’70 e deri sot. Unë jam një nga personat që e ka lexuar librin dhe do të thosha vetë një batutë, siç e ka zakon avokati ta sintentizojë opinionin e tij publik . “Përkulja dhe rënia e tiranisë”. Tirania ka rënë. Ne e botuam librin lirshëm. Nuk na u desh fare ta çonim në ndonjë zyrë censure. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të reflektojmë për tiraninë, për historinë tonë politike dhe ky libër, ky personazh si rasti i Ngjelës, është ndoshta nga ilustrimet më të mira, nga autorët më të mirë për këtë refleksion mbi politikën, mbi Shqipërinë, mbi të kaluarën e mbi të ardhmen.

Spartak Ngjela

Historia është një hendek që duhet mbushur

Mund të them se historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet. Ky është thelbi i historicizmit dhe këtë kam dashur të jap dhe unë në librin tim. Domethënë, kam përjetuar një histori, e kam analizuar një periudhë prej 30 vjetësh dhe e kam shkruar. Pse e kam shkruar? E kam shkruar se kam përshtypjen se ne kemi një segment bosh në histori. Historia është kontinuitet, prandaj ndihet. Dhe fakti që duhet mbushur ky boshllëk, unë hodha i pari idetë e mia. Të cilat, natyrisht, nuk kam pse zgjatem se keni librin, por ajo që është specifike, në gjithë këtë periudhë që kam shkruar unë që nga ’57-ta deri më 2010-ën, është një frymë anti-intelektualiste në Shqipëri që po bllokon demokracinë, jetën dhe njeriun autonom. Pse e them këtë? Në libër jam munduar të trajtoj që ne kemi përjetuar jo një tirani, por një terror shtetëror, i cili ka filluar me një frymë anti-intelektuale më ’47-ën. Por në rast se më ’47-ën kishte një alibi, e cila thoshte se e gjithë kjo botë intelektuale është kundër doktrinës sonë, kundër sistemit tonë, është borgjezi, janë shfrytëzues, ka pasur një alibi normale dhe bëri një luftë anti-intelektuale për shfarosjen e intelektualëve. Dhe kjo është kaq e vërtetë sa edhe pasi mbaroi luftën jashtë vetes, akumuloi pushtet politik të fortë dhe filluan spastrimet intelektuale dhe brenda. Çfarë ndodhi? Shqipëria ra në qetësi deri më ’57-ën , në vitin ’56-‘57 ky regjim vetë-krijoi intelektualë që erdhën nga Varshava, nga Praga, nga Shën Peterburgu, nga Moska. Krijoi Universitetin e vet dhe prisnin me ankth që të intelektualizonin partinë e tyre. Çfarë u ndodhi? Gjithë Lindja kaloi drejt një intelektualizimi të ri më ’56-‘57, këtu vazhdonte lufta kundër intelektualizmit. Megjithatë, histeria nuk ka qenë kaq e madhe. Vazhdoi përsëri të akumuloheshin dhe më ’67-ën, pas 20 vjetësh Shqipëria e kishte krijuar potencën e vet intelektuale dhe të gjithë prisnin se do vinin si elita në pushtet. Jo! Nxori artificin tjetër që i erdhi nga Kina dhe morën alibinë se duhet të drejtojnë punëtorët. Dhe filloi lufta më e tmerrshme antiintelektualiste në Shqipëri... Ky është libri im. E kam shkruar mirë, s’e kam shkruar mirë, ajo është e drejta juaj ta mendoni. Unë do ta mbyll me atë që e hapa, se historia e përjetuar shkruhet dhe historia e shkruar përjetohet. Në qoftë se e përjetoni, kam shkruar histori, nëse nuk e përjetoni, atëherë lexojeni si roman.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›