E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktorja Winona Ryder: Ju shpjegoj arsyet pse kam vjedhur!

SHBA- Aktorja Winona Ryder ka rrëfyer në një intervistë për OK arsyet e kleptomanisë. Kujtojmë që ajo në vitin 2001 është ndaluar në një dyqan, pasi çanta e saj ishte mbushur plot me rroba të vjedhura.

“Edhe kjo është një eksperiencë nga e cila mëson, përmes të cilave rritesh. Ishte një periudhë në të cilën gjërat në jetën time por edhe në karrierë kalonin shpejt. Nisur nga kjo kam kaluar një periudhë shumë stresuese, kam pasur kriza nervore. Ndjeva nevojën ta ul pak ritmin, pasi punoja shumë dhe kisha një presion të fortë”, thotë aktorja.

Ndër të tjera aktorja rrëfen: “Nuk kisha mbushur ende 30 vjec, por po ndjeja që jeta po më kalonte nëpër gishta. E pranoj, ishte një periudhë që nuk po kuptoja më asgjë. Rashë pre e ilaçeve, fillova të konsumoj shumë qetësues për të ngadalësuar pak ritmin e jetës sime, por me sa duket nuk ishte rruga e duhur, tani e kam kuptuar”, shton ajo.

“Kur ndodhi ai episodi i vjedhjes dhe më pas arrestimi nuk isha shumë koshiente, nuk kuptoja shumë. Nuk e kuptova atë që kisha bërë. Do ta quaja një gjendje konfuzioni”, shton më tej aktorja.

Ajo tashmë është e sigurt që e ka kaluar atë periudhë, është tërhequr pak nga Hollywood-i dhe ndjehet mirë me jetën e re që ka nisur në San Francisco.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›