E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i përgjimeve në SHBA, Shqipëria një prej vendeve më pak të përgjuara

TIRANE - Edhe Shqipëria rezulton të jetë një prej vendeve të përgjuara nga Agjencia Amerikane e Sigurisë Kombëtare. Në hartën e publikuar nga gazeta “The Guardian”, vendi ynë është në ngjyrë të gjelbër, çka tregon se është një prej vendeve më pak të përgjuara.

Në hartën e “The Guardian”, Kosova paraqitet e ndarë nga Serbia, por territori i saj është i ngjyrosur me ngjyrë portokalli, ç’ka nënkupton se është përgjuar dhe mbikëqyrur shumë më shpesh nga NSA.

Agjencia për Siguri Kombëtare amerikane, gjatë muajit mars ka përgjuar afro 97 miliardë të dhëna dixhitale në gjithë botën, qoftë në formë të thirrjeve telefonike apo të shkëmbimit të mesazheve.

Gazeta britanike “The Guardian” posedon hartën e plotë të vendeve të mbikëqyrura nga ana e agjencisë amerikane NSA, në të cilat kjo agjenci mblidhte informacione për të gjitha llojet e komunikimeve si e-mail, telefonata apo rrjete sociale, si “Facebook” dhe “Twitter”. Këto të dhëna më pas iu dërgoheshin agjencive të zbulimit te cilat siguronin të dhënat e sakta, duke bërë identifikimin e personave të rrezikshëm. 

NSA është pjesë e bashkësisë ushtarake informative të SHBA-së, një organizëm i sigurisë amerikane për të cilin nuk ka shumë të dhëna. 

Javën e kaluar “The Guardian” njoftoi se një program i posaçëm kompjuterik, i quajtur PRISM i jep mundësi NSA-së dhe Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së, të kontrollojë shpërndarësit e kompanive të mëdha të Internetit. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë mohuar njoftimet. Ata thonë se askush nuk dëgjon thirrjet telefonike të qytetarëve dhe se të dhënat që ata kanë mbledhur kanë shërbyer për të parandaluar disa komplote terroriste.

Edward Snowden, burimi që nxori informacionet sekrete
Një teknik kompjuterash i CIA-s i cili kishte punuar si kontraktor për Agjencinë Amerikane të Sigurisë Kombëtare deklaroi se ishte burimi i njoftimeve të gazetave që publikuan monitorimin e telefonatave dhe të përdorimit të internetit nga qeveria amerikane.

29-vjeçari Edward Snowden thotë se i kërkoi “The Guardian” dhe “The Washington Post” ta përmendnin atë me emër si burim informacioni. Ai u tha gazetave se nuk do të qëndrojë i fshehur pasi është i bindur se nuk ka bërë ndonjë gabim.

"Por me kalimin e kohës, dijenia për gabimet shtohet së tepërmi dhe ti e ndjen se duhet të flasësh për këtë, megjithatë, sa më shumë të flasësh aq më shumë injorohesh, të përsëritet herë pas here se nuk është ndonjë problem, deri sa mbërrin në përfundimin se këto gjëra duhet të vendosen nga publiku, jo nga dikush që thjesht është marrë në punë nga qeveria”- deklaroi ai.

Snowden, i cili u largua nga Shtetet e Bashkuara për në Hong Kong muajin e kaluar, thotë se e ka të qartë se do të detyrohet të vuajë për veprimet e tij.

"Nuk mund t’i kundërvihesh agjencisë më të fuqishme të zbulimit në botë dhe të jesh tërësisht jashtë rrezikut, sepse ajo është aq e fuqishme sa që askush nuk mund ta kundërshtojë. Nëse ata duan të të kapin, ata do të të kapin në kohë”- u shpreh ai.

Snowden i tha gazetës “The Washington Post” se ai ka në plan të kërkojë strehim në një vend që beson në lirinë e fjalës dhe në privatësinë globale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›