E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktorja e mirënjohur Tinka Kurti feston 79-vjetorin

TIRANE-Aktorja e skenës dhe filmit shqiptar Tinka Kurti feston sot 79-vjetorin e saj të lindjes. I gjithë stafi i shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës” i urojnë asaj gëzuar ditëlindjen!

Aktorja Kurti ndoqi tre ditë më parë dramën e trazuar të Lorkës dhe shprehu vlerësimin e saj për interpretimin e aktoreve Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti. 

Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. 

Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958. Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve te gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”. 

Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›