E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuila tronditet sërish, arrin në 272 numri i viktimave

Një tjetër goditje e fortë sizmike është ndjerë sërish në zonat e goditura nga tërmeti i së hënës, duke mbajtur akoma të gjallë frikën në rajonin e Abrucos. Ende pa kaluar traumën e tërmetit shkatërrimtar, banorët e pjesës qendrore të Italisë janë përfshirë sërish nga paniku. Mediat italiane raportojnë se është konfirmuar vdekja e të paktën 272 personave, ndër të cilët 16 janë fëmijë, ndërsa ekziston ende frika se bilanci i viktimave mund të shtohet edhe më tej. Këto shifra i ka dhënë kreu i qeverise italiane Silvio Berluskoni ne një konferencë për shtyp. Megjithatë ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të nxjerrë nga rrënojat trupa të pajetë, por edhe për të asistuar ata që janë plagosur nga kolapset e ndërtesave. Kryeministri italian Berluskoni ka vizituar zonën e shkatërruar nga tërmeti për të tretën ditë radhazi. Berluskoni, i cili ka deklaruar që të hënën gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka dërguar në rajonin e Abrucos mijëra trupa, ka hartuar një ligj të rreptë të ri kundër grabitjeve, pasi në zonë kanë filluar vjedhjet nëpër shtëpitë e braktisura. Sipas analistëve, përpjekjet e Berluskonit në zgjidhjen e krizës mund të ndikojnë në rritjen e popullaritetit të tij. Teksa po ecte përmes rrugëve të shkatërruara të Akuilas, Berluskoni u takua me një grua të moshuar, e cila iu përgjërua për ndihmë kryeministrit të saj dhe i tregoi se kishte humbur gjithçka. "Nuk më ka mbetur asgjë tashmë, madje edhe dhëmbët i kisha lënë në shtëpi", u shpreh duke qarë e moshuara dhe duke iu lutur Berluskonit që të mos harronte viktimat e shkaktuara nga tërmeti. Duke i mbajtur dhe njëkohësisht puthur dorën gruas së vjetër, Berluskoni e siguroi atë për mbështetjen që do i jepte asaj dhe të gjithëve. "Ne jemi këtu tashmë, ne jemi këtu", tha ai. Gjithashtu është raportuar për më shumë se 1100 të plagosur dhe 25 mijë të tjerë të zhvendosur nga rajoni i goditur. Operacionet e kërkim - shpëtimit kanë gjetur trupat të tjerë të pajetë. Pritet që të premten të kryhen ceremonitë e para të varrimit të viktimave të tërmetit. Ndërkaq, Presidenti i vendit Xhorxho Napoletano ka lajmëruar një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti, për t'u solidarizuar me personat e prekur nga fatkeqësia. Një vizitë gjatë javës së ardhshme është njoftuar edhe nga Papa Benedikti XVI.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›