Akuza pa dëshmi

Ish-ministri britanik për Ballkanin, Denis MacShane dhe ish-prokurori në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice, kanë reaguar ndaj një shkrimi të publikuar në gazetën britanike Sunday Times.
Në artikull, gazetari Ed Caesar hulumton pretendimet e senatorit zviceran, Dick Marty, për trafikim organesh në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, duke u përpjekur t’i jep përgjigje pyetjes nëse UÇK i ka vrarë të burgosurit serbë për t’ua marrë organet.
Në një letër dërguar redaksisë, MacShane e Nice kanë shkruar se raporti, në të cilin përsëriten akuzat ndaj Kryeministrit Hashim Thaçi, është propagandë serbe.
“Përpjekjet vazhdojnë edhe më tutje, nëpërmjet përsëritjes së këtyre akuzave, për ta njollosur Thaçin si person të përfshirë në vrasjen e të burgosurve serbë në fund të luftës në Kosovë, për t’iu nxjerrë dhe për t’i tregtuar organet e tyre. Këto njollosje asnjëherë nuk janë mbështetur nga dëshmi të besueshme”, thuhet në letër.
Gazetari Caesar ka intervistuar Nazim Bllacën i cili, përveç deklarimeve të tij të mëhershme, ka treguar edhe gjëra të reja.
“Për shembull, Bllaca ka dëshmuar se ka kërcënuar tre dëshmitarë gjatë gjykimit të Fatmir Limajt në Tribunalin e Hagës në vitin 2003 dhe 2004”, thuhet në artikull.
“Unë kam punuar për Thaçin. Nëse Thaçi (nëpërmjet Azem Sylës dhe SHIK’ut) nuk do t’i kishte vrarë kundërshtarët e tij (këtu flet për kundërshtarët e tij politikë që, sipas Bllacës, vinin kryesisht nga radhët e LDK’së së Ibrahim Rugovës), nuk do të kishte kaq shumë pushtet... Më kanë keqpërdorë”, citohet të ketë thënë Bllaca.
Sipas gazetës britanike, ajo që dëshminë e Bllacës e bën edhe më të vërtetë për Perëndimin është se SHIK’u, gjatë luftës në Kosovë, ishte mbështetur nga agjencinë perëndimore të inteligjencës. Gazeta shkruan se Amerika dhe Britania kanë ditur thuajse gjithçka para se t’ia ofronin mbështetje Hashim Thaçit.
“Prej vitit 1997, Amerika, Franca dhe Britania u përfshinë në klasifikimin e shërbimeve inteligjente të UÇK’së”, ka thënë Steven Meyer, një ish-analist i CIA’s në rajon dhe ish-zëvendësdrejtor i Ndëragjencisë Amerikane “Ballkan Task Force”. Sipas tij, UÇK është financuar nga aktivitetet kriminale, mirëpo SHBA’të dhe Britania i kanë mbyllur sytë ndaj kësaj.
Sipas MacShane e Nice, askush nuk e mohon faktin se gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në të dyja palët gjatë luftës në Kosovë. Por ata thonë se Dick Marty nuk ka ofruar asnjë dëshmi të besueshme për të mbështetur pretendimet e tij. Ata kujtojnë se në vitin 2002, një ekip i OKB’së për ekzaminime forenzike nuk ka gjetur asnjë dëshmi se gjurmët e gjakut – qofshin ato të kafshëve apo të njerëzve – ishin “rezultat i akteve kriminale” në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”.
“Sot Kosova është në paqe. Liderët e saj politikë dhe ushtarakë (për dallim nga Milosevic, Karadzic e Mladic), me t’u akuzuar janë dorëzuar në Hagë për t’u gjykuar, disa prej tyre janë dënuar, e disa janë liruar. Zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë dhe liderët politikë janë zëvendësuar nga kundërshtarët e tyre pa derdhje gjaku”.
MacShane e Nice sqarojnë se nuk e përkrahin Thaçin personalisht, por kërkojnë me ngulm që gazeta të pranojë se përsëritja e njollosjeve të pavërtetuara nuk do t’u ndihmojë një milion qytetarëve të Kosovës, e as dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Në Drenicë
Në Drenicë, gazetari britanik ka biseduar me Ymer Ymerin, i cili thotë se gjatë luftës së vitit 1999, ai ishte burgosur për dy muaj në një qeli dy me tri metra, së bashku me 17 persona tjerë në Kukës. “Të gjithë të burgosurit tjerë me të ishin mbështetës të partisë së ‘gabuar’, LDK-së. Personi që e arrestoi atë ishte Sabit Geci, person i fuqishëm në PDK që momentalisht është duke u gjykuar për krime lufte”, shkruan gazeta.
Ymeri ka thënë se vëllai i tij, menjëherë pas luftës, u vra për shkak të këndvështrimeve të tij partiake. “Unë e di se jam i rrezikuar nga po ata persona që më vranë të vëllanë. Por, vjen një kohë kur duhet të thoni ‘stop’. Nuk duhet të frikësoheni më”, ka theksuar ai.
Të enjten, Express ka biseduar me djalin e viktimës, mirëpo më vonë ai ka kërkuar që rrëfimi të mos botohet në gazetë.